Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është optimist përsa i përket përballjes së Shqipërisë me Spanjën. Teksa është pyetur nga gazetari i Tv Klan, Glend Tafaj për rezultatin e ndeshjes së sotme, Presidenti Duka ka parashikuar 1 me 0 në favor të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për emisionin “Eurozone”, Duka u shpreh se Kombëtarja Shqiptare do të tentojë për të fituar këtë ndeshje teksa ka shtuar se e rëndësishme është që të bëjmë një performancë të mirë për të arritur objektivin madhor: Të rrimë në Gjermani sa më gjatë.

Armand Duka: Kjo është ndeshje e rëndësishme për të gjithë, për ne dhe spanjollët. Janë skuadër shumë e mirë dhe me kualitet, ne e dimë, janë të qartë se çfarë kundërshtari kanë përballë. Kemi dhe ne një skuadër të mirë që ka fituar grupin, do të tentojmë më të mirën për ta fituar sepse nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Spanja e ka siguruar kryesimin, favor për to dhe disfavor se nuk e kanë impenjimin maksimal, dua ta shoh kështu.

Unë mendoj se është moment shumë i mirë që vazhdojmë të jemi në lojë dhe luftojmë për t’u kualifikuar në ndeshjen e tretë. Më vjen mirë që stadiumi është mbushur plot dhe të gjithë shqiptarët e mbështesin me shumë pasion këtë skuadër dhe besoj se do të jetë një vlerë e shtuar për t’i dhënë më shumë moral çunave për të bërë më të mirën. E rëndësishme të bëjmë një perfomancë të mirë. Kam besim nëse vërtetë ne do të luftojmë ashtu si kemi ne armën kryesore, lufta në skuadër dhe objektivi jonë është shumë i madh që të rrimë në Gjermani sa më gjatë.


/tvklan.al