Lajme Arkiva 2003

Me propozim të Ministrisë së Rendit, Presidenti i Republikës Alfred Moisiu ka dekoruar dy oficerë amerikan të rendit Ulter Konrad dhe Xhon Partne, për kontributin e dhënë prej vitesh për policinë dhe strukturat e shtetit shqiptar.

Dy përfaqësuesve të ICITAP i është dorëzuar titulli i lartë në një ceremoni të organizuar në ambientet e akademisë së arteve në prezencën e personaliteteve të larta shtetërore dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik në Tiranë.

Ministri i Rendit Luan Rama ka falënderuar ambasadën amerikane për kontributin e dhënë në formën e këshillimit dhe të trajnimit të oficerëve të lartë të policisë shqiptare. “Ne vlerësojmë dhe falënderojmë kontributin tuaj duke u vënë në dispozicion të bashkëpunimit”, është shprehur ministri Rama.

Luan Rama: Kjo ngjarje e vendosur në sfondin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës merr dimensione të veçanta në momentin aktual ku kërkohet që këto marrëdhënie dhe ky bashkëpunim të jetë edhe më i ngushtë edhe më i dobishëm.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Jeffrey me falënderime për vlerësimin e bërë ndaj dy oficerëve amerikan ka deklaruar se në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë njerëzit më të mirë, pasi ne vlerësojmë bashkëpunimin me ju./tvklan.al