Lajme Arkiva – TV Klan 2003
“Do të vazhdojë të luaj rolin institucional për të nxitur reformat dhe marrëveshjet politike” është shprehur presidenti Moisiu në deklaratën e parë publike, pas prishjes së marrëveshjes Nano-Berisha. Moisiu i kërkoi qeverisë, të përshpejtojë hapat për hartimin e ligjit të ri për kthimin e pronave, për krijimin e gjykatës së krimeve të rënda, si dhe për plotësimin e kushteve të tjera të vëna nga BE.
Pas kontestimeve të opozitës për emërimin e kryedoganierit të ri Papadhima, kreu i shtetit i tërhoqi vëmendje kabinetit Nano, të tregohet më i kujdesshëm në kriteret që duhet të plotësojnë zyrtarët e lartë që emërohen në këto detyra.
Presidenti Alfred Moisiu:- “Dihet që Gjykata e Krimeve të Rënda është një kërkesë që nuk është e re, por tani është bërë imperativë, për vetë faktin, sepse situata e krijuar në vendin tonë kërkon një luftë më të organizuar dhe një drejtësi më të përqendruar për gjykimin e krimeve të rënda që janë bërë një kancer i madh për zhvillimin e Shqipërisë përpara”.
Gazetarja:- Zoti presidenti është folur për korrupsion administratën civile, gjë që është thënë edhe nga Trojka Europiane, cilat janë hapat tuaja dhe disa emërime që përfliten për korrupsion?
Presidenti Alfred Moisiu:- “Është e vërtetë, që unë kam shprehur mendimin me kohë që në emërime duhet të jemi të kujdesshëm. Njerëzit që vendosen në detyrat kryesore duhet të kenë disa kritere, të cilat po mundohemi t’i bëjmë, por mesa duket nuk është aq kollaj.
Gazetari:- Zoti president, do të ndërmjetësoni serish në marrëdhëniet midis Nanos dhe Berishës, kur kemi një marrëveshje të prishur tashmë?
Presidenti Alfred Moisiu:- “Unë vazhdimisht punojë për këtë punë, jo si ndërmjetës, por kryej detyrën time si president”.
Në takimin me pushtetarët lokalë të Lushnjes, presidenti tha, se brenda 15 Shkurtit komisioni qeveritar duhet të depozitojë në parlament projektligjin e ri për kthimin e pronave.
Presidenti Alfred Moisiu:- “Komisioni qeveritar, të paraqesë ligjin para Parlamentit Shqiptar, deri më datë 15 Shkurt. Duke pasur parasysh vërejtjet që janë bërë deri tani në vendin tonë, qoftë kjo nga shoqatat e ndryshme, po ashtu dhe nga parti të ndryshme politike dhe ky problem është ajo që do ta qetësojë këtë vend dhe do të hapë perspektiva për zhvillimin e mëtejshëm”.
Lushnjarët e garantuan presidentin, se në rrethin e tyre ka tokë bujqësore, për të kompensuar jo vetëm ish-pronarët e kësaj zone, por edhe nga rrethet e tjera të vendit./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame