Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës ka realizuar një takim me Ministrin e Rendit, kryetarin e SHISH dhe kryeprokurorin, ku ka kërkuar informacion në lidhje me hetimet, për tre vrasjet tronditëse të ditëve të fundit. Vrasja e Sali Tivarit, sekretari i KMSH, Fatmir Ramës pronar i Kartodromit dhe biznesmenit Florian Vila, kanë mbetur pa autorë dhe janë tre nga krimet e stilit mafioz, që kanë bërë tashmë që institucionet anti krim të ngrenë bashkërisht një grup të veçantë pune për zbardhjen e tyre.

Në takim me presidentin Moisiu, ministri Rama, kryeprokurori Sollaku dhe kreu i SHISH Hysenaj, kanë bërë publik faktin se në grupin e punës deri tani janë mbledhur informacione nga mbi 50 agjentë policor. Dosjet iu janë besuar prokurorëve dhe hetuesve më ekspert të organit të akuzës, ndërsa hetimet dhe përgjimet janë shtrirë jo vetëm në Tiranë ku është qyteti që janë bërë vrasjet, por edhe në disa qytete dhe zona të tjera të vendit.

Në lidhje me dy krimet e fundit nisur dhe nga skema që është përdorur për ekzekutim, policia ka arritur në konkluzionin, se janë përdorur vrasës me pagesë dhe nisur nga kjo janë përcaktuar dhe disa persona si kontingjent i mundshëm për kryerjen e krimeve të tilla. Ekspertë të grupit të posaçëm hetimor kanë treguar se është mbledhur një material i konsiderueshëm operativ në lidhje me shkaqet dhe autorët e vrasjes së tregtarit Florian Vila./tvklan.al