Partia Demokratike do të jetë e pranishme në negociatat për zgjedhjen e kandidatit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit vetëm nëse Presidenti Moisiu do të përdorë kompetencën e tij në funksion të një mbështetje të gjerë politike, në të kundërt ajo do të qëndrojë asnjanëse për gjetjen e emrit të ri që do të zëvendësojë kryekontrollorin aktual Mustafa Kërçuku.

Ridvan Bode: “Nga ana e Presidentit të Republikës nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare në Partinë Demokratike për të biseduar apo për të negociuar një kandidaturë të mbështetur për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në qarkullim janë hedhur emra, qoftë nga media apo, qoftë dhe në kanale të tjerë. Mendoj që, nëse Presidenti i Republikës do ta përdorë kompetencën e tij në funksion të një mbështejte më të gjerë politike dhe në përputhje me një skemë që duhet ta deklarojë ai dhe që është e tija, Partia Demokratike do të jetë prezent, nëse do të vazhdohet me procedurat e derimësotme, Partia Demokratike do të pozicionohet në momentin e fundit në varësi nga kandidatura që do të ofrohet nga Presidenti i Republikës. Deri më sot Partia Demokratike nuk ka kandidatë zyrtarë për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.” /tvklan.al