Presidenti i Republikës Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, i ka dhënë përgjigje disa prej diskutimeve më të nxehta politike. Ndryshimet për ligjin e legalizimet të rikthyera për rishqyrtim në dekret të tij. Çështjen e miratimit nga kuvendi të 5 emrave për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë apo dhe ndryshimet kushtetuese që kanë nxitur një pjesë të partive kryesisht të kampit opozitar të kërkojnë referendum popullor për rrëzimin e tyre.
Presidenti Topi ripërsëriti qëndrimin e hershëm të tij se ndryshimet kushtetuese ishin një proces që kërkonin kohë dhe konsultime.
Blendi Fevziu: “Ka pasur një deklaratë të zonjës Topalli, e cila është shprehur që presidenti është thjesht për ceremonial.”
Bamir Topi: “A mund të ma thoni, sepse është shumë e rëndësishme deklarata në funksion të kohës.”
Blendi Fevziu: “Që do të thotë?”
Bamir Topi: “Që do të thotë, kur është bërë kjo deklaratë.”
Blendi Fevziu: “Përpara ndryshimeve kushtetuese.”
Bamir Topi: “Nuk ka pasur thjesht pronësime nga personazhe politike, por ka pasur dhe inkursione të drejtpërdrejta, ku presidentit të republikës, nëpërmjet disa propozimeve që vinin nga një grup i vogël njerëzish që hidheshin në komisionin për çështje ligjore, kërkohesh në mënyrë të qartë t’i hiqeshin kompetencat.”
Ligjin për legalizimet, presidenti Topi e cilësoi me defekte të natyrës kushtetuese.
Bamir Topi: “Është paraqitur një ligj me defekte të natyrës kushtetuese.”
Pas dekretimit të 5 emrave të rinj për anëtar të gjykatës së lartë, çështja ka mbetur në kuvend, një pikë kjo që ka përplasur në deklarime kreun e Partisë Socialiste dhe kryetaren e kuvendit.
Blendi Fevziu: “Në rast se parlamenti voton negativisht, zoti president ç’ndodh?”
Bamir Topi: “Ndodh që presidenti çon një kandidaturë tjetër.”
Blendi Fevziu: “Një rast i ngjashëm ka qenë me zonjën Gaba, mos gaboj.”
Bamir Topi: “Jo, ka qenë një rast tjetër që kandidatura e zonjës Gaba nuk është marrë fare në konsideratë për tu futur në seancë plenare.”
Blendi Fevziu: “Dhe në këtë rast ju e keni mbështetur apo jo, në mos gaboj?”
Bamir Topi: “Sepse kishte të dhëna të besueshme, relativisht të besueshme që nuk meritonte të futej, por këtu ka pasur patjetër edhe një pozicionim të gabuar të parlamentit, i cili mund t’i thoshte jo kësaj kandidature, por kurrsesi të mos futej në kandidaturë.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi