Presidenti i republikës, Bamir Topi, e ka cilësuar ngjarjen e Gjirokastrës si një nga më të rëndat e ndodhura në këto vite të tranzicionit.

Gjatë vizitës së tij në qytetin jugor kreu i shtetit është shprehur se kjo ngjarje erdhi si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë dhe abuzimit që në fund të saj pati si viktima qytetarë të pafajshëm.

Bamir Topi: “Rasti i Gjirokastrës është një rast flagrant, një rast që flet vetë. Është një rast elokuent, një rast ku bashkëjeton dëshira për fitim me mungesën e përgjegjshmërisë totale që duhet t’i bëjë strukturat të gjithë ku ato kanë përgjegjësitë e veta specifike në këtë linjë që të bëjnë një ridimensionim aty ku duhet një forcim i ligjit, forcojmë ligjet, por është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që duhet të forcohet fuqishëm edhe kodi penal.”

Kreu i shtetit ka kërkuar hetim të plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësve për çdo institucion lokal apo qendror.

Bamir Topi: “Si president i republikës dëshiroj që të vë theksin në ngjarje të tilla, ka nevojë për hetim, për një hetim të pastër dhe një hetim profesional, por do ketë nevojë dhe për një gjykim të drejtë, korrekt. Unë i bëj apel prokurorisë së Gjirokastrës. I bëj apel në avancë Gjykatës së Gjirokastrës që me këtë çështje duhet të merren seriozisht duke i siguruar ato që do të kenë në një monitorim shumë të rreptë nga autoritetet, të cilat komandojnë ose monitorojnë punën e tyre, çka do të thotë nga prokuroria e përgjithshme dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”.

Gjatë takimeve me banorët e zonës dhe përfaqësues të prefekturës presidenti Topi ka garantuar mbështetjen për strehimin sa më të shpejtë të familjeve të dëmtuara./tvklan.al