Koalicioni qeveritar në fund të katërvjeçarit qeverisës do ta kthejë vendin në eksportuesin më të madh të energjisë , ndërsa do të dyfishojë prodhimin e saj.

Kështu ka deklaruar Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë inspektimit të punimeve në parkun industrial të hidrokarbureve në Porto Romano.

Dritan Prifti: “Ne kemi premtuar që në fund të katër vjetarit, Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues të energjive. Ky do të jetë mbase nga investimet më gjigande që qeveria do të mbështesë në këtë 4 vjeçar. Do të jetë në prioritetin tim absolut zhvillimi i këtij parku energjetik në mënyrë që edhe zonës t’i japim më shumë shanse, më shumë mundësira punësimi. Po dhe gjithë vendit t’i japim më shumë mundësi zhvillimi.”

Ministri Prifti, theksoi se kompanitë investuese do të respektojnë standardet më të larta të pastërtisë së ajrit dhe ujërave.

Prifti tha se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka qenë asnjëherë kundër këtij projekti, edhe pse ka shprehur rezervat e saj.

Dritan Prifti: “LSI-ja nuk është shprehur asnjëherë kundër ndërtimit të TEC-it në Porto Romano.”

Gazetarja: “A do t’i hapet rrugë këtij projekti për të ndërtuar një TEC?”

Dritan Prifti: “Ne kemi pasur rezervat tona. Nuk jemi për të zbatuar programin e një force politike në këtë qeveri si koalicion, por programin e përbashkët të koalicionit. Nuk mund të japim investitorëve të huaj mesazhe që ne kthehemi mbrapa dhe anulojmë projekte të filluara. Ky do të ishte mesazhi më i keq që mund t’i jepnim ne investitorëve të huaj në Shqipëri, po dhe investitorëve vendas.”

Kompania Enel është shoqëria me e madhe italiane e energjisë, që ka propozuar të ndërtojë në zonën bregdetare të Porto Romanos një kompleks energjetik, i cili do të përbëhet nga një termocentral me qymyr dhe pajisjet detare të nevojshme për shkarkimit e qymyrit gjatë veprimtarisë së projektit.

Investimi në total parashikohet të shkojë në rreth 1.9 milion euro, ndërkohë që masterplani për këtë investim ka marrë miratimin e strukturave nga niveli qendror dhe vendor./tvklan.al