Tre ditë pas vrasjes së nxënësit 14-vjeçar që tronditi vendin, prindërit e tij, Engjëll dhe Florina Cani gjejnë kurajon të flasin mes kësaj dhimbje të madhe për emision “Opinion” në Tv Klan.

Tronditja e parë për ta ishte kur mësuesja kujdestare lajmeroi të ëmën e viktimës që ai është shoqëruar në spital me një fije shprese që 14-vjeçari do t’ja dalë.  

“Më thanë që djali juaj është në operacion, në sallë. Pas 1 ore, një gjysëm ore, më thirrën doktorët dhe më thanë “nuk mundi të mbijetojë Martini”. I kishte prekur zemrën.”

Me lotët që nuk ndalen, e ëma kujton bisedën e fundit, edhe kur e pyet nëse kishte ndonjë shqetësim.

“E pyeta “Martin a ke ndonjë shqetësim”, jo më tha ma asnjë. Ishte si gjithmonë. Iku si çdo ditë. Nuk më krijoi asnjëlloj dyshimi.”

Por njësoj si të gjithë ata që e njihnin të miturin, edhe prindërit flasin për një djalë të qetë, të çiltër, me shumë ëndrra dhe dashuri të madhe për futbollin, e prerë në mes në mes për 14-vjeçarin pasi u vra nga bashkëmoshatari i tij.

“Ishte një fëmijë që nuk bënte sherr me njeri, edhe kur luante futboll nuk bënte sherr. Ishte lider. Thoshte do të bëhem si Ronaldo, do bëhem i famshëm babi.”

Edhe pse mes gjithë kësaj dhimbjeje dhe lotëve të pashterur, ato gjejnë fjalët për të falenderuar këdo që u qëndroi pranë në ditën më të vështirë të jetës e se edhe mes kësaj tragjedie familjare, ata duan paqen.

“Ju uroj të gjithë njerëzve që të dhurojnë buzëqeshje, mirësi, paqe. Falenderoj dhe kampionin tim.”

Ndërsa babai i autorit, edhe ky i mitur, reagoi për herë të parë për emision “Opinion”.

“Edhe unë jam në të njëjtën situatë si familja Cani, vetëm që arkivolin nuk e kam në shtëpi. Dhimbja është shumë e madhe, ne jemi munduar gjithë jetën ta edukojmë fëmijën tonë në rrugën e drejtë. Jemi të shokuar.”

Ngjarja që la pas viktimën e mitur, shumë pranë shkollës “Fan Noli”, përfshiu disa të rinj, dy prej të cilëve, përfshirë edhe autorin mbetën të plagosur.

Tv Klan