Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Privatizimi detyron INSIG-un të shkurtojë 40% të stafit. Në të njëjtën ditë që IFC dhe BERZH kanë marrë në dorë aksionet e INSIG-ut, ka përfunduar dhe procesi i shkurtimit drastik të personelit. Drejtori i përgjithshëm i INSIG Eduard Shalsi pranon për TV Klan, se ka pasur ndërhyrje politike për emërime në administratën e INSIG-ut, por Shalsi siguron se kjo reformë administrative ka qenë e studiuar.
Eduard Shalsi:- “Influencat e politikës për hir të së vërtetës, kanë qenë të pranishme në gjithë historinë e INSIG-ut, por siç e thashë dhe më sipër, procesi i seleksionimit ishte tejet transparent, sugjerimet erdhën nga poshtë lartë, pastaj ne vlerësuam gjithsecilin”.
Shkurtimet kanë përfshirë degët e INSIG-ut në rrethe, si dhe drejtorinë e përgjithshme. Të përfshirë në shkurtime kanë qenë nivele të ndryshme punonjësish madje dhe nëpunës të lartë. Shalsi shpjegon se shkurtimet ishin të domosdoshme për shkak se gjatë viteve INSIG-u ka humbur tregun pas pranisë së kompanive private, por nuk ka shkurtuar asnjë punonjës. Të tjera arsye janë dhe sistemi i aplikimeve automatike të informacionit dhe mosshlyerja e kredive të shtëpisë, akorduar nga INSIG për punonjësit.
Eduard Shalsi:- “U aplikuan kritere të tilla, si profesionaliteti, vjetërsia në punë, trajnimet, eksperiencat, gjuhët e huaja. Një pjesë e mirë e punonjësve që janë larguar nuk kanë plotësuar dhe kriterin e gjuhës së huaj. Ishte një proces i domosdoshëm, parakushtpër privatizimin”.
142 punonjësit e shkurtuar nga puna do të trajtohen me paga të plota për 9 muajt e ardhshëm./tvklan.al