Qeveria kërkon të shesë 100% të aksioneve të kompanisë shtetërore INSIG.
Formula e re për privatizimin e Institutit të Sigurimeve e diskutuar dhe më pas miratuar ne komisionin e ekonomisë, parashikon shitjen nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar të gjithë aseteve të kompanisë.
Nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes në këtë proces të investitorëve vendas krahas atyre të huaj apo edhe pjesëmarrjes së publikut nëpërmjet listimit në bursë.
Linda Rusmaili: “Ky projekt parashikon shitjen deri në 100% të aksioneve të INSIG-ut. Synimi është deri në 100%, nëse ka ndonjë pjesë aksionesh e cila do të ,besë për shkak se nuk do të ketë kërkues. Atëherë kjo parashikohet që të shitet me ofertë publike brenda një afati 3 vjeçar. Që do të thotë shumë shpejt do t’i duhet të futen në bursë dhe shumë shpejt do t’i duhet që të ndajnë të drejtat e votës me të tjerë.”
Anëtarët e komisionit të ekonomisë dhe përfaqësues të ministrisë së Financave ranë dakord që çmimi mesatar i privatizimit të mos jetë më i vogël se oferta e bërë tenderin e mëparshëm ndërkombëtar.
Në Dhjetor të vitit të kaluar për privatizimin e plotë të Institutit të Sigurimeve, një kompani nga Teksasi ofroi 41 milionë euro, por që në muajt në vijim për shkak të krizës financiare kompania u tërhoq duke shtyrë sërish procesin.
Asokohe shteti zotëronte 61% të aksioneve te INSIG-ut, të cilave ju shtuan edhe 39% të tjera të lëna nga BERZH dhe IFC./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro