Për vitin 2023 numri i pacientëve të shtruar në spitale është rritur me 11% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë shtrimet më të larta vijojnë të mbeten te pacientët me probleme kardiologjike dhe probleme të shëndetit mendor.

Numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike arriti në 1,647 pacientë, duke u rritur me 10% . Sipas psikologes shkollore Lediona Asabella në vitet e fundit edhe mes nxënësve të shkollave të mesme po vijohet re një rritje e problematikave  të çrregullimeve të ankthit por edhe me çrregullime më të rënda.

Lediona Asabella, psikologe shkolle: Mund të them që ky pesë vjeçar ka qenë i vështirë, ose dolën në pah disa vështirësi prej emergjencave që kaluam qoftë me covid-in, qoftë me tërmet, qoftë me luftërat, apo pasigurinë. Kjo është një lloj pasigurie emocionale dhe ndikon në shëndetin mendor. Nëse ata kanë çrregullime të personalitetit apo psikotike, apo çrregullime të tilla ne i referojmë në specialistë jashtë shkollës, sepse këtu nuk kryhen terapi të mirëfillta. Ajo që ndodh më së miri në shkollë është menaxhimi i rastit.

Sipas psikologes duhet të shtohen qendrat e rehabilitimit të shëndetit mendor, sepse në shkollë është e pamundur që të bëhet trajtimi i tyre dhe nuk ofrohet psikoterapi për shëndetin mendor.

Lediona Asabella, psikologe shkolle: Shumë mirë do të ishte që të kishte sa më shumë qendra që ne t’i referohemi sepse dhe këto qendra kanë një numër të kufizuar specialistësh dhe këto kanë nevojë për një terapi afatgjatë, sepse janë çrregullime të cilat zgjasin, pra nuk është me dy ose tre takime dhe kjo gjë u zgjidh. Sepse edhe për një rast të çrregullimit të ankthit apo depresionit, nëse personi ka një vetëvlerësim të lartë dhe i përballon i kalon situatat shumë më lehtë. Një person me vetëmenaxhim më të ulët i kalon situata më rëndë.

Sipas psikologes çdo rast që mbetet i pa trajtuar ose trajtohet me vonesë shton kohën e rikuperimit dhe madje mund të rëndojë edhe më shumë shëndetin mendor të të rinjve.

Klan News