Vrasja e 14-vjeçarit ka ngritur pikëpyetje të mëdha për sigurinë në shkolla dhe rrezikun nga rrjetet sociale. Sipas psikologëve rrjetet më të përdorura nga adoleshentët janë TikTok-u, Snapchati dhe Instagrami. Rrjete sociale të cilat shpesh herë janë bërë edhe burime të incidenteve shumë të rënda.
Lediona Asabella, psikologe shkollore: Dhjetëvjeçari i fundit ka shtuar masivisht rrjetet sociale dhe ka shtuar masivisht lëndimin që ata kanë nëpërmjet këtyre rrjeteve sociale. Kjo gjë përcillet në shkollë, në oborr, e mbase në rrugica aty ku syri i mësuesit apo dikujt tjetër nuk sheh.
Klaudio Pulaha, punonjës social: Një pjesë e konflikteve, të të rinjve apo adoleshentëve vjen pikërisht nga interneti. Ndoshta mësuesit nuk janë të përgatitur dhe nuk e dinë se çfarë mund të ndodhë në botën virtuale dhe është shumë e rëndësishme që ata të fuqizohen lidhur me këtë pjesë. Edhe duke iu referuar rastit më të fundit, sigurisht që sistemi duhet të funksiononte më mirë, nëse punonjësit në fjalë mund të ishin sinjalizuar për një konflikt të çastit duhet që ta kishin trajtuar me seriozitet.
Por çfarë thonë maturantët për rrjetet sociale dhe a duhet që të mbyllen?
Era Kolmarku, maturante: Po unë i përdor rrjetet sociale, të them të drejtën tani që jam maturante nuk kam aq shumë kohë për të qëndruar, por gjatë pushimeve verore qëndroj, qëndroj shumë. Rrjetet sociale kanë probleme si Snapchati, Instagrami dhe të tjerat. Prindërit mendoj se duhet të jenë më të kujdesshëm dhe nxënësit duhet të ndërgjegjësohen se si i përdorin ato dhe mendoj se duhet të jetë një moshë e caktuar për përdorimin e këtyre aplikacioneve.
Alisia Bakalli, maturante: Unë mendoj se nëse ti di se si t’i menaxhosh rrjetet sociale, pra se si ta menaxhosh Instagramin tënd, TikTok-un apo Snapchatin tënd duke mbrojtur veten tënde pra duke mos pranuar njerëz të panjohur apo duke mos folur me njerëz të panjohur, duke mos iu besuar lehtë mendoj se janë shumë të sigurta.
“Gjëja kryesore për mua është ruajtja e privatësisë, të mos japin informacione më shumë nga sa duhet tek personat që nuk i njohin apo që nuk kanë aq shumë kofidenca sa miqtë e ngushtë,” tha një maturante tjetër.
Rolin kryesor për një adoleshencë të shëndetshme sipas psikologëve e ka familja, dhe ata janë të vetmit që mund të kontrollojnë fëmijët në rrjete sociale.
Lediona Asabella, psikologe shkollore: Sidomos me këtë masivitetin në rrjetet sociale ku nuk ka adoleshent që të mos kalojë 3-4 orë. Një adoleshenti nuk i duhet më shumë se 1 orë. Përkundrazi ai u merr kohë gjërave të tjera. Një adoleshent duhet të lexojë, të studiojë, të bëjë sport, të argëtohet, të luajë, të bëjë shumë gjëra. Këto i shumëzon me zero dhe bën vetëm qëndrimin pasiv në rrjetet sociale dhe aty merr shembull, dhe merr fiks shembullin negativ.
Klaudio Pulaha, punonjës social: Të gjithë si shoqëri i gjithë sistemi ka çeduar dhe ka dështuar, por nga ana tjetër edhe familja duhet të mbajë përgjegjësi e rolin e vet. Në këto momente që flasim vërtet duhet që ta pyesim mirë veten se çfarë po bën familja nga njëra anë, vlen të theksohet fakti që kemi prindër të cilët deri diku nuk interesohen për fëmijët e tyre, nuk i kontrollojnë e nuk marrin informacion.
Urat e komunikimit, prindër, shkollë, fëmijë sipas tyre nuk është në nivelin e duhur.
Lediona Asabella, psikologe shkollore: Nuk dua që t’i gjykoj, por një përqindje e vogël e tyre lexojnë për mirërritjen dhe mirëzhvillimin, edukimin e fëmijës. Fëmija nuk ka nevojë vetëm për t’u ushqyer, për sigurinë dhe strehën që i ofron një familje. Ajo është minimumi, është detyrimi jetik, për mua fëmija ka nevojë pikërisht që të gjesh forma të mbështetjes, të gjesh ato forma të tranzicionit. Patjetër që do të gjesh një tranzicion në adoleshencë.
Prindërit kanë paralajmëruar edhe një protestë ditën e Enjte. E cila nis në formën e një marshimi nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit.
Klan News