Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në procesin gjyqësor për pasaportat, dëshmoi ish-komandanti i repartit 100 Resul Mele. Ai e ka drejtuar këtë repart në kohën kur firma gjermane Bundesdruckerai, kishte sjellë sasinë e parë të pasaportave të prodhuara prej saj.

Pengesë për pranimin e tyre në repartin 100 në Mullet, qe bërë paraardhësi i Meles, Ylli Ymeraj. Ai kishte konstatuar, se ky dokument kishte disa mangësi apo mospërputhje të disa elementëve të pasaportës së ardhur me atë që parashikohej në kontratë. Të dukshme ishin ngjyra, qepja dhe shkrimi i pasaportës. Pas shkarkimit të Ymeraj, u emërua Resul Mele, i cili me urdhër nga Ministria e Rendit i pranoi këto pasaporta edhe pse kishin mangësi.

Të pandehurit ish-zëvendësministri Himçi dhe ish-drejtori i Rendit Myftari kanë pohuar se për këtë ka ndërhyrë ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bilbil Mema, duke shkelur sipas tyre i pari ligjin.

Ndërkohë në procesin ndaj të pandehurve për trafik ndërkombëtar heroine, Arben Grori dhe Agron Tresa, janë paraqitur provat e para të mbrojtjes. Avokatët e Tresës paraqitën dokumente që vërtetojnë sipas tyre, se Tresa kryente tregti të mallrave të ndryshëm nga Italia dhe kishte të regjistruar këtë veprimtari. Kjo vërteton sipas avokatëve, se të ardhurat Tresa i vilte nga tregtia dhe jo nga trafiku i drogës.

Tashmë Gjykata e Tiranës është në pritje dhe të përgjigjes nga ajo italiane, për marrjen në pyetje të disa të arrestuarve për të njëjtën çështje në Itali./tvklan.al