Pas datës 24 Nëntor çdo individ që ka një objekt në proces legalizimi mund ta shlyejë 50% të detyrimit monetar me letër me vlerë. 

Ndryshimet e bëra nga qeveria shqiptare në ligjin e legalizimit është botuar në fletoren zyrtare e për pasojë ai hyn në fuqi në javën e fundit të Nëntorit.

Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve për Tiranën, Agim Berisha, konfirmon për Televizionin Klan se duke filluar nga data 24 Nëntor qytetarët mund të vijnë të aplikojnë për të marrë lejen e legalizimit dhe 50% e pagesës bëhet me letrat me vlerë, por ligji i ri nuk përjashton as ato persona që tashmë e kanë kryer procesin e legalizimit duke paguar të gjithë vlerën me para në dorë.

Kjo kategori sipas Berishës, duhet të paraqesin një kërkesë pranë Aluiznit, për të konvertuar 50% të vlerës së paguar me para në pagesë me letër me vlerë.

E thënë më thjeshtë ata që kanë paguar tashme me anë të kërkesës mund të dorëzojnë letrat me vlerë duke marrë në kthim paratë që kanë paguar.

Në kryeqytet janë afërisht 85 mijë ndërtime që do të përfitojnë legalizimin në bazë të ligjit./tvklan.al