Kjo është një ditë e zakonshme pune pranë zyrave të agjencisë së legalizimeve të qarkut të Tiranës.

Megjithëse në pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore aktualisht punohet me staf të reduktuar për shkak të sezonit veror, pranë ALUIZNI-t të Tiranës vijon shpërndarja e lejeve të legalizimit me kapacitet të plotë.

Vetëm këtë të hënë pranë këtyre zyrave u janë shpërndanë rreth 40 leje legalizimi, personave që më pare u ishte aprovuar dosja nga këshilli i ministrave dhe më pas ata kishin kryer pagesën e legalizimit.

Drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës, Agim Berisha, konfirmon se brenda dy muajve edhe për këtë qark pritet përfundimi i procesit për të gjitha ndërtimet informale.

Agim Berisha: “Tani kjo është bërë një punë e zakonshme e jona. Ne po përgatisim për përmbylljen e saj brenda 2 mujorshit që tha kryeministri dhe çdo herë që do të ketë .. qeverie ne do të përgatisim për kalim në qeveri. Kemi ndërtuar një grafik ashtu siç janë miratuar në VKM, ajo është dhe radha e punës. Pra përpunimi dosje nuk bëhet i veçantë, përpunimi dosje bëhet mbi bazë bllokut dhe zone të miratuar në qeveri”.

Ndërkohë që qytetarët shprehen të kënaqur që tashmë janë pronar të ligjshëm të ndërtesës së tyre.

“Sot morëm dokumentet, lejen e legalizimit të shtëpive, të cilat ne ka kohë që i kemi pritur. Jam shumë i gëzuar, shumë i emocionuar nuk di fjalë më të mira nuk mund të flas më tepër”.

Kreu i agjencisë së legalizimit për Tiranën thotë se procedurat e ndjekura janë krejt transparente, dhe se qytetarët njoftohen qoftë me postë apo me telefon për t’u paraqitur sipas renditjes në listat e aprovuara pranë zyrave të ALUIZNI-t, duke shmangur kështu futjen në lojë të sekserëve./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro