Brenda këtij viti në qarkun e Tiranës do të jenë plotësuar nga ALUIZNI të gjitha dosjet për ndërtimet informale me kalim pronësisë të truallit dhe objektit të ndërtuar.
Kështu është shprehur kreu rajonal i ALUIZNI-it, Agim Berisha, për Televizionin Klan.
Gjatë një ceremonie në qytetin e Kavajës ku u shpërndanë rreth 50 leje legalizimi, ai konfirmoi se punohet intensivisht për të mbyllur sa më shpejt këtë proces të rëndësishëm.
Agim Berisha: “Të gjitha dosjet po punohen mbi bazën e një grafiku. Ju siguroj se ky është një proces i pakthyeshëm që përfshin të gjithë shqiptarët pavarësisht nga preferencat personale partiake dhe nuk mund ta ndaloj askush. Qytetarët nuk duhet t’ua kërkojnë sekserëve, njerëzve të pandërgjegjshëm t’i japin atë që u ka dhënë qeveria jonë. Ne jemi të detyruar të shqyrtojmë të drejtën e qytetarëve për të legalizuar pronën e tyre. Sot japim disa leje, ky proces është i pandalshëm do të vazhdojë me të tjerë.”
Qytetarët që kanë përfituar lejen e legalizimit shprehen të kënaqur me faktin që tashmë ata janë pronarë të ligjshëm.
“Gëzohem shumë që unë bëra investim e bëra mallin tim me ndihmën e shtetit patjetër dhe kontributin tonë. Jam shumë i kënaqur dhe falënderoj zyrën e ALUIZNI-t gjithashtu edhe të Tiranës.”
“Shumë njerëz ishin utopik nuk besonin edhe vetë ndoshta unë isha utopik, por sot marr një tapi, një dokument të rregullt që kjo banesë e imja, ky investim i im prej shumë vjeçarësh duke lëvizur edhe rrugëve të Evropës, legalizohet dhe tashmë është i imi.”
Në rrethin e Kavajës aktualisht janë plotësuar me dokumentacionin e nevojshëm rreth 70% e dosjeve për legalizimin e ndërtimeve informale, duke ju dhënë kështu mundësi qytetarëve për tu pajisur me lejet përkatëse./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro