Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Në rastin e krizave në sektorin e bukës, siç është rasti i rritjes së çmimit të bukës, shtetit i duhet të ndërhyjë që të nxjerrë rezervat e grurit, për t’i shituar ato me çmimin e disa muajve më parë. Kështu ka deklaruar drejtori i sh.a. Buka, i cili ka dëshmuar se dhe ky prodhues, me kapital 51% shtetëror, mund ta rris çmimin e bukës vetëm me 10 lekë. Ndërkohë funksioni i kësaj fabrike është që të kryejë rolin e rregullatorit në rastet e krizave të tilla.
Abdyl Sinani:- “Në këto raste shteti ndërhyn në disa rrugë, rruga e parë në qoftë se kanë rezervat e shtetit grurë, tani që janë rritur shumë çmimet e grurit në tregun botëror, atëherë shteti e nxjerr grurin dhe i jep fabrikave të miellit me një çmim siç e ka blerë para 10 muajsh dhe ruan çmimin e grurit në treg dhe të miellit”.
Sipas zotit Sinani, shkak i rritjes së çmimit të bukës është rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, e cila aktualisht arrin në 210 dollarë për ton. Ndërsa prodhues të bukës në Tiranë mendojnë se janë shumë faktorë të cilët çuan në vendimin e rritjes së çmimit të bukës nga privatët. Ata theksojnë ndër të tjera dhe luhatjen e çmimit të miellit nga dita në ditë.
“Përqindja më e madhe e ngarkesës së prodhuesve të bukës vjen nga rritja e çmimit të miellit dhe të tjera, rritja e tvsh, rritja e energjisë elektrike, sadopak ajo e ndien se këto po punojnë në krizë totale”.
Për ngritjen e çmimit të bukës kanë protestuar dhe instanca të Partisë Demokratike. Sekretari për marrëdhëniet ekonomike në këtë parti ka deklaruar:
Edmond Spaho:- “Rritja e çmimit të bukës, e cila pritet të jetë mbi 20 lekë për kg, ose mbi 20% të çmimit ekzistues, përbën një tjetër goditje të rëndë që i jepet konsumatorit, por veçanërisht shtresave të ardhura të pakta”./tvklan.al