Shqiptarëve në Maqedoni u nevojiten institucione paralele për ta shpëtuar nga asimilimi prej maqedonasve.

Në ndërtimin e këtyre institucioneve do të punojnë në rast se fitojnë në garën për president të Maqedonisë, premton kandidatja e Partisë Demokratike Shqiptare, Mirushe Hoxha, e cila në garën presidenciale të 22 Marsit futet si femra e parë në Maqedoni që është kandiduar për president shteti.

Mirushe Hoxha: “Institucionet paralele janë institucione të cilat veçojnë popullin shqiptar, identitetin shqiptar dhe nuk lejojnë që ky të shkrihet dhe asimilohet me identitetin maqedonas. Institucioni paralel nënkupton universitete në gjuhën shqipe dhe jo paralele të përziera. Gjithashtu teatrot në gjuhën shqipe dhe jo teatro të përziera”.

Hoxha është një nga intelektualet më të shkolluara shqiptare në Maqedoni. Ajo ka kryer dy magjistratura dhe një doktoraturë.

Faktin se është kandidate e vetme femër ajo e sheh si përparësi dhe jo si handikap. Posaçërisht e potencon domosdoshmërinë që zgjedhja të kalojë në atmosferë të qetë dhe pa incidente.

Mirushe Hoxha: “Unë jam femra e parë dhe femra e parë shqiptare që kandidohet në Republikën e Maqedonisë për postin presidencial. Këtë nuk e shoh si handikap, por përkundrazi e shoh si përparësi pikë së pari duke u nisur nga fakti se oferta ime është ndër ofertat më të mira, mbase edhe më e mira për dallim nga kandidatë të tjerë presidencial dhe shpresoj se zgjedhjet do të kalojnë pa incidente se askush nuk do të bie në ndikimin e provokimeve të ndryshme dhe nuk do të iniciojë provokime.”

Pa marrë parasysh se si do të jetë epilogu i zgjedhjeve presidenciale të 22 Marsit Mirushe Hoxha thotë se do të vazhdojë paralelisht karrierën akademike dhe atë politike.

Ajo paralajmëron se Maqedonia duhet sa më shpejt të gjejë zgjidhje për kontestin me Greqinë rreth emrit, sepse dhe ashtu ka humbur mjaft kohë në integrimet në strukturat euroatlantike. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu