Lulzim Basha prezantoi programin elektoral gati një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Në kuvendin Kombëtar, Basha shpalosi disa nga pikat, duke premtuar ulje taksash dhe rritje të pagave.
Lulzim Basha, kryetari i PD: Taksat e larta i marrin frymën sipërmarrjes, shkatërrojnë biznese, mbyllin vende pune, shkurajojnë profesionistët e lirë dhe i çojnë ata në emigracion. Në këtë mënyrë ne futemi në një cikël ekonomik krizash të një pas njëshme. Një sistem monopolist i krijuar nga klientët e qeverisë prodhon vetëm mjerim për shumicën dhe pasuri për një grusht njerëzish.
Çiftet e reja ishin në fokus të programit. Për ta Basha tha se do tu subvencionojë plotësisht kredinë për shtëpi.
Lulzim Basha, kryetari i PD: 30 mijë çifte të reja do të përfitojnë nga fondi për mirëqenien e familjes subvencionimin e plotë të interesave të kredive për banesa.
Vëmendje tërhoqi premtimi për bonusin e bebes. Basha premtoi që për fëmijën e tretë shteti do të japë 20 mijë euro.
Lulzim Basha, kryetari i PD: 2 mijë euro për çdo bebe, 20 mijë euro për fëmijën e tretë për çdo familje të re shqiptare.
U zotua për një reformë të thellë në arsim.
Lulzim Basha, kryetari i PD: Arsimi universitar do i nënshtrohet një reforme të thellë e cila do të synojë që universitetet shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e rë të Shqipërisë, në bashkëpunim me investitorët e huaj dhe vendas të prodhojnë jo thjesht të rinj me diploma, por të prodhojnë profesionistë.
Premtoi gjithashtu zgjidhjen e problemeve të pronave në Shqipëri, çështje për të cilën nuk bëri fajtore qeverinë “Rama”, por PD.
Lulzim Basha, kryetari i PD: Fajtori më i madh për moszgjidhjen e problemit të pronës jemi ne. Nuk ka reformë më të rëndësishme për mirëqenien ekonomike se t’i japim fund problemit të pronës, të zgjidhim një herë e mirë pasigurinë pronës dhe të kthejmë në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër pronën tek i zoti 100%.
Lulzim Basha premtoi se për katër vite në qeveri do të heqë edhe vizat me SHBA.
Lulzim Basha, kryetari i PD: Do të mundësoj heqjen e vizave me SHBA brenda 4 vjeçarit tonë të parë.
Teksa shpaloste programin elektorale, në sallën ku mbahej Kuvendi u ndërpre energjia elektrike. Edhe për këtë Basha fajësoi qeverinë.
Lulzim Basha, kryetari i PD: Kanë filluar të heqin dritat, kanë frikë nga PD, kanë frikë nga ju, kanë frikë nga ne.
Lulzim Basha ftoi kundërshtarët politikë, të cilët i cilëson frikacakë në një debat publik për programet elektorale.
Klan News