Lajme Arkiva 2003
Prokurorët e dosjes “Kokaina” me 6 të pandehurit i kërkuan kryetarit të trupit gjykues Martin Deda të japë dorëheqjen me vullnetin e tij nga shqyrtimi i kësaj çështje.
Përfaqësuesi i akuzës Kosta Beluli lexoi një deklaratë ku renditi disa arsye për kërkesën e kësaj dorëheqje. Sipas tij kryetari i seancës ka favorizuar hapur të pandehurit gjatë procesit duke u dhënë atyre të drejtën e fjalës edhe atëherë kur nuk duhej.
Ata pretendojnë se është zvarritur marrja si provë e dëshmisë së italianes Lidia Çestarit. As kaseta me shpjegimet e saj dhe as procesverbali me këto thënie nuk janë dëgjuar dhe lexuar duke u penguar nga të pandehurit dhe vetë kryetari i trupit gjykues pretendojnë prokurorët.
Sipas këtyre të fundit gjatë gjithë procesit janë toleruar fyerjet dhe sharjet që gjashtë të akuzuarit kanë drejtuar ndaj tyre, jo vetëm nga sokol Koçiu i cili është përjashtuar nga pjesëmarrja në proces, por edhe nga të pandehurit e tjerë.
Të gjithë të pandehurit janë kundër përjashtmit nga çështja e gjyqtarit Deda, i cili do ti japë përgjigje kërkesës së akuzës në seancën e ditës së ardhshme.
Një javë më parë ishin gjashtë të pandehurit që kërkuan përjashtimin nga gjykimi i çështjes të njërit prej anëtarëve të tij Gjin Gjoni. Por një tjetër gjyqtar i cili u caktua me short e quajti të pabazuar këtë kërkesë.
Procesi kokaina prej disa javësh është shoqëruar vetëm me deklarimet e të pandehurve që kanë përsëritur kundërshtimet lidhur me dëshminë e italianes Lidia Çestari. Seancat vazhdojnë disa orë resht dhe asnjëri prej tyre dhe në asnjërën prej tyre nuk ka qenë i mundur shqyrtimi si provë e kësaj dëshmie./tvklan.al