Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni në një deklaratë për mediat informon për vendimin e paligjshëm për t’i dhënë dy vjet leje prindërore, gjykatësit Gjin Gjoni.
Ministrja theksoi se KLD ka miratuar një vendim i cili është në shkelje të rëndë të ligjit.
“Në mbledhjen KLD të datës 11.10.2018, në rendin e ditës është shtuar një çështje e panjoftuar, lidhur me një kërkesë nga gjyqtari Gjin Gjoni për leje prindërore dy vjet. Kërkesa është miratuar nga shumica e KLD në mënyrë abuzive, duke e vënë edhe njëherë në pikëpyetje legjitimitetin e këtij institucioni.
Ky akt administrativi i KLD i ndërmarrë me procedurë të parregullt është i pavlefshëm. Kërkesa është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes. KLD mund të marrë çështje të papërfshira në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të gjyqtarëve. Pa kuorum, duke përfshirë edhe votën e Gjin Gjonit, i cili ka votuar për veten si kurrë më parë, KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave. KLD mbajti të fshehtë vendimin për gjyqtarin Gjin Gjoni, ndërsa në procesverbal zbulohet mjaft mirë leja prindërore e Gjin Gjonit. Do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë vendimin e marrë në shkelje të ligjit, në të kundërt kërkesa do t’i drejtohet gjykatës”./tvklan,al