Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Prokurori kërkoi dënimin me 84 vjet burg gjithsej për 6 të pandehurit e dosjes “Kokaina”, gjatë seancës ku u lexuan konkluzionet përfundimtare. I pandehuri Sokol Koçiu është cilësuar nga akuza, si një nga eksponentët kryesor të organizatës kriminale, e cila synonte trafikimin e një sasie të madhe kokaine në Shqipëri dhe më pas në Rusi.
Sipas prokurorëve, kjo vërtetohet nga dëshmitë e dhëna, nga dëshmitarja italiane Lidia Cestari, kolumbiani Triana Mateos dhe persona të tjerë, të cilëve Koçiu, ish-oficeri i policisë gjyqësore, në prokurorinë e përgjithshme, u ishte prezantuar si shefi i anti-mafies.
Një provë e fortë, që vërteton akuzën, sipas prokurorëve të çështjes Kosta Beluri dhe Sokol Hysenaj, janë përgjimet ambientale të kryera në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, mes Durdës, Përballës etj, pas arrestimit të 2 Shkurtit të dy viteve më parë.
Për Koçiun u kërkua dënimi me 18 vjet burg, për akuzat krijimi i organizatës kriminale, bandë kriminale, falsifikim pasaportash etj. Dënimi më i lartë u kërkua për Frederik Durdën, 20 vjet heqje lirie, si personi që ka luajtur rol të rëndësishëm në organizatë. 18 vjet burg u kërkua për të pandehurin Arben Përballa, si bashkëpunëtor dhe si personi, në emër të të cilit disa vite më parë ishte nisur një sasi prej disa kilogramësh kokainë nga Kolumbia. Sasia e drogës u zbulua ndërsa kalonte transit në Gjermani.
15 vjet burg kërkoi akuza për Din Gjonaj me të njëjtën akuzë, ndërsa dënimi më i ulët u kërkua për të pandehurin e moshuar Vehbi Hysa me 6 vjet burg dhe Afred Nanaj 7 vjet e 6 muaj burg. Këta persona sipas prokurorisë, kanë shërbyer si pengje në Kolumbi, gjatë kohës që organizata do të përfundonte pazarin e kokainës.
Në seancën e sotme munguan të pandehurit Sokol Koçiu dhe Frederik Durda. Pas një jave, avokatët e të pandehurve do të bëjnë mbrojtjen përfundimtare, e cila do të pasohet me vendimin e trupit gjykues të kryesuar nga Gjin Gjoni./tvklan.al