Avioni italian që mbeti në Ishëm ka patur defekt në ngritje. Ky është dyshimi që kanë prokurorët e krimeve të rënda, që po hetojnë ngjarjen prej ditës së enjte.
Burime nga grupi hetimor thonë se avioni ka mundur të ulet lehtësisht në pistën e improvizuar. Mbi të janë gjetur gjurmë të tij, po ashtu të gomave të një makine fuoristradë dhe një mjeti të rëndë.
Prokuroret dyshojnë se avioni ka patur ngarkesë të rëndë me marijuanë dhe për këtë arsye nuk ka mundur të ngrihet.
Mediat italiane shkruanin një ditë më parë së ky tip avioni mund të mbante deri në 1.5 ton peshë.
Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar ndihmë zyrës për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve.
Ekspertët e kësaj zyrë pritet të zbardhin me detaje se çfarë ka ndodhur me avionin e Guido Guidit dhe shkaqet e rënies së tij.
Informacion prokuroria i ka kërkuar edhe kapitenerisë së Durrësit për t’i vënë në dispozicion të gjithë listën e mjeteve lundruese që kanë qenë në det të enjten në mëngjes, për shkak se dyshohet se pas rrëzimit, droga qe ka patur avioni në bord është marrë sërish nga trafikantet, të cilët mund të jenë larguar me një gomone bashke me ngarkesën.
Megjithatë nuk pritet ndonjë informacion i vlefshëm, pasi dyshohet se droga ka mbërritur pranë pistës me gomone dhe anije të vogla peshkimi, të cilat nuk identifikohen dot prej saj (kapitenerisë së Durrësit).
Grupi hetimor ka ngritur disa versione për ngjarje kjo për shkak të dëshmive kontradiktore të pilotit 69-vjeçar. Ai fillimisht ka thënë se kishte ardhur për turizëm në Shqipëri.
Ndërsa nga rimarrja në pyetje ka sqaruar se kishte ardhur për të transportuar 200 kg kanabis. Pavarësish kësaj dëshmie në avion nuk është gjetur asnjë mbetje lënde narkotike./ TV KLAN