Lajme Arkiva 2003

Dosjet e të shumëkërkuarit për vrasjen e komisarit Gani Malushi dhe efektivit të policisë Gjovalin Ndreut tani edhe nën hetimin e prokurorisë. Burime nga organi qendror i  akuzë pohuan për Tv Klan se janë grumbulluar të gjitha praktikat gjyqësore për çështjet që ka pasur në ngarkim në Gjykatën e Rrëshenit si edhe atë të Apelit në Tiranë.

Të njëjtat burime shtruan se këto çështje po i heton një grup i posaçëm  prokurorësh nga Prokuroria e Përgjithshme. Është ende herët sipas prokurorëve të grupit të flasësh për emra konkret gjykatësish apo prokurorësh përgjegjës për lirimin e Agim Pepës, ndonëse është gjykuar për një numër veprash penale.

Megjithatë si inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ashtu edhe grupi i prokurorëve janë përqendruar edhe në çështjen e  fundit ndaj Pepës atë për shfrytëzim prostitucioni. Deri më tani rezulton se Gjykata e Apelit nuk ka bërë shkelje duke u ulur vëllezërve Pepa dënimin me 1/3 e tij, pasi ata e kanë pranuar akuzën.

Po hetohet për heqjen dorë nga akuzat e prokurorit të çështjes në Apel Skënder Dermiri. Grupi i punës i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ai i Prokurorisë së Përgjithshme i ngritur në këtë rast ende nuk ka nxjerrë konkluzionet për përgjegjësit e lirimit të Pepës, informacioni për vendodhjen e të cilit vlen tashmë 25 milionë lekë të vjetra./tvklan.al