Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-drejtori i rendit, në Ministrinë e Rendit Veli Myftari, do të merret në pyetje nga prokurorët për herë të parë që nga momenti i arrestimit, por këto shpjegime ai do t’i japë në spitalin e burgut, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Avokatët e Myftarit, i pandehur për të ashtuquajturën skandal i pasaportave, konfirmuan se nesër do të jenë të pranishëm, ndërsa klienti i tyre do të merret në pyetje nga prokurori i rrethit të Tiranës Sokol Stojani. Por burime të konfirmuara pohojnë ndërkohë, se gjendja shëndetësore e Myftarit, që mbushi 50 vjeç është mjaft serioze.

Veli Myftari është lënë me të njëjtën masë sigurie, atë me burg pa afat nga të tre gjykatat, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, bashkë me ish-zëvendës ministrin e rendit Bujar Himçi dhe ish-kreun e Agjencisë së Prokurimeve Arben Prifti. Edhe pse të pandehurit janë në pritje të nisjes së procesit gjyqësor ndaj tyre, prokuroria ende nuk e ka bërë gati dosjen për ta dërguar në gjykatë për shqyrtim.

Gjatë seancave për masën e sigurisë për këta të pandehur, në gjykatat e të tre shkallëve, janë deklaruar nga prokurorët shuma të ndryshme, si humbje në buxhetin e shtetit, si pasojë e shkeljeve gjatë tenderit të pasaportave. Fillimisht u deklarua se kjo humbje është mbi dy milion dollarë, ndërsa në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesit e akuzës, duke iu referuar raportit të KLSH thanë, se dëmi është 300 mijë dollarë./tvklan.al