Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për herë të dytë brenda një muaji, qindra qytetarë dhe biznesmenë durrsakë, kanë protestuar para prefekturës, për mungesën e tej zgjatur të energjisë elektrike. Kësaj radhe parullave për më shumë drita i janë shtuar edhe zëra protestues kundër rritjes së taksave.

Ndryshe nga protesta e parë shumë e qetë, biznesmenët durrsakë, në mënyrë simbolike kanë ndezur gjeneratorët në shesh dhe nëpërmjet tyre disa shandanë, për të treguar edhe njëherë, se Durrësi vazhdon të mbetet një nga qytetet më të persekutuara në vend për orët e gjata të mungesës së energjisë elektrike.

Kjo situatë mbetet e tillë në qytetin port të vendit edhe pse faturat e energjisë elektrike paguhen rregullisht nga 85% nga familjarët dhe 100% prej biznesmenëve. Edhe pse kjo nuk është konsideruar një protestë politike, në sheshin para Prefekturës së Durrësit nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë.

Në protestë kanë marrë pjesë kësaj here, përveç nënkryetarit reformator Ferdinand Xhaferri edhe kryetari i PD së Durrësit Edmir Kapedani dhe deputeti i vetëm demokrat i këtij qyteti, Pëllumb Berisha./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço