Ish-punonjësit e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec, kanë kërkuar të protestojnë në rrënojat e fabrikës së shkatërruar nga shpërthimi, por ata nuk janë lejuar nga policia që të kalojnë postbllokun. Në këtë mënyrë ish punonjësit protestuan në heshtje pranë kraterit ku kërkuan asistencë një vjeçare dhe dëmshpërblim nga shteti.

“Kërkesat janë rrogat, në radhë të parë. Një dëmshpërblim që i patëm kërkuar shtetit nuk e ka dhënë fare. Pensionet e atyre të vdekurve nuk i ka marrë përsipër fare shteti. Mjetet motorike që i kemi pasur te fabrika nuk i ka marrë përsipër.”

“Qoftë edhe gjëja më elementare siç është rroga jonë për shembull, nuk po na e japin pa lëre të tjerat që nuk bëhet fjalë.”

“Kemi bërë kërkesën deri në 5 milion lekë ka qenë llafi dhe këta i mohuan.”

“Një muaj, ja si jemi djegur nga krahët. Jo vetëm ky po është edhe tjetri gjithashtu dhe s’mund të bëjmë asgjë. Për nja një vit a dy vjet nuk jemi të aftë për punë, për asgjë.”

Gjithashtu protesta e tyre ka vijuar edhe në anën tjetër të fshatit pranë kraterit dhe shtëpive të shkatërruara.

Gazetarja: “Ish-punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave, në shenjë proteste kanë kërkuar me çdo kusht që të afrohen pranë kraterit që është krijuar nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Madje ata kanë hyrë edhe në këtë fushë e cila është ende e pa pastruar nga forcat e Xhenios.”

Edhe në këtë pikë ata janë ndaluar nga policia, pasi zona ku kishin hyrë përbënte rrezik për jetën e tyre./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami