Lajme Arkiva 2004
Protesta “Nano ik” në Vlorë është shoqëruar me një incident, ndërsa gjithçka kishte nisur paqësisht dhe nuk kishte asnjë problem mes forcave të rendit dhe protestuesve, në shesh u shfaqën pa pritur forcat speciale, kjo ka mjaftuar që situata të tensionohej.
Pas ndërhyrjes së drejtueseve të Partisë Demokratike të Vlorë, por edhe irritimit të protestuesve, trupat speciale u larguan nga sheshi. Jo vetë oratorët vlonjat, por edhe kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu duke patur parasysh që Vlora ka një komunitet jo të vogël çam e quajti rrëzimin e rezolutës në parlament një tradhti kombëtare të Fatos Nanos.
Ekrem Spahiu:Ne kemi arsye edhe më shumë për tu bashkuar dhe për t’i thënë Nanos ik sepse ai urdhëroi deputetët e mazhorancës aktuale të dalin hapur kundër interesave kombëtare duke mos votuar projekt-rezolutën.
Ndërsa kreu republikan Fatmir Mediu akuzoi kryeministrin Nano se po e lë Shqipërinë jashtë Evropës së bashkuar.
Fatmir Mediu:Fatos Nano dhe klika e tij do që rrugën tonë drejt perëndimit, ta mbylli, ta izolojë Shqipërinë, ta kthejë në vend të krimit dhe të korrupsionit në vend të trafiqeve, në rrugën, në vendin e njerëzve që largohen me dëshpërim.
Të largojmë Fatos Nanon, të largojmë varfërinë dhe mjerimin, kështu i është drejtuar qytetarëve të Vlorës kreu demokrat Sali Berisha. Fatos Nano me sistemin e tij të varfërisë i vjedh Vlorës dy të tretat e taksave dhe tatimeve, sipas Berishës, qeverisja e Nanos, është qeverisja e terrorizmit politik dhe bandidizmit.
Sali Berisha: Je mashtruesi më i madh i historive të shqiptarëve pas Enver Hoxhës. Nano ik! Sepse ti urren Vlorë, urren Shqipërinë, urren shqiptarët, sepse ti në ditën e zisë të këtij qyteti, në ditën e zisë kombëtare bëje plazhe, notoje në pishinat e turpit si horr i kombit, si kryehorri i kombit, si vetëm ti mund të jesh,ndaj edhe unë ju ftoj ju që bandën e shpallur, e gjitha Vlora në Tiranë, për tëhedhur Fatos Nanon në koshin e plehrave, aty ku e kanë vendin fundërrinat e kombit, fundërrinat e historisë.
Protestuesit vlonjatë janë shpërndarë pa shënuar ndonjë tjetër incident, ndërkohë që lëvizja “Nano ik” pritet të stacionohet në ditët në vazhdim në Berat, Korçë dhe rrethe të tjera të vendit./tvklan.al