Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Tiranës do t’i rikthehet edhe njëherë shqyrtimit të materialeve të paraqitura nga prokuroria, si prova për çështjen “Kokaina”. Ndërkohë që gjatë seancave të fundit, kanë qenë avokatët mbrojtës, ata që paraqitën dëshmitarët e tyre. Në duart e prokurorëve ndodhet tashmë një tjetër dëshmi, që konsiderohet prej tyre mjaft e rëndësishme dhe që mbërriti së fundi nga Italia.

Këtë herë, kundër të pandehurve Sokol Koçiu, Frederik Durda etj, do të jetë dëshmia e Triana Mateus, i cili është marrë në pyetje në SHBA, nga përfaqësues të akuzës italiane. Ajo mendohet të shtojë hollësi të reja, mbi mënyrën se si do të funksiononte mekanizmi për transportin e disa tonëve kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, si dhe mbi rolin e të pandehurve shqiptarë të çështjes.

E njëjta dëshmi, u refuzua të merrej si provë disa muaj më parë, pasi ishte e paplotë, sipas trupit gjykues të çështjes, prandaj ky i fundit, me një vendim të fundit vendosi që dëshmia të shqyrtohej, pasi të vinte brenda të gjitha rregullave ligjore. Thuhet se Triana Mateus është dëshmitari i dytë pas italianes Lidia Cestari, që ka pohuar që Koçiu fshihej pas nofkës djali i kryeministrit.

Gjithçka lidhur me hollësitë e kësaj ngjarje pritet të zbardhet në sallën e gjyqit, ku prokurorët do të paraqesin kasetën edhe me deklarimin e kolumbianit Triana Mateus. Pezullimi prej dy javësh i seancave të dosjes “Kokaina”, i ka dhënë kohë kështu akuzës, të pajiset me një armë të re, kundër të pandehurve edhe kjo e siguruar nga drejtësia italiane./tvklan.al