Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dosja “Kokaina” me 6 të pandehur, mbërrin në Gjykatën e Apelit. Pak javë pasi Gjykata e Tiranës dënoi me më shumë se 60 vjet burg të akuzuarit për krijim të organizatës kriminale me qëllim trafikun e kokainës, pritet që avokatët mbrojtës të kërkojnë edhe njëherë pafajësi për klientët e tyre, tashmë në gjykatën e shkallës së dytë.

I akuzuari me dënimin më të lartë është Frederik Durda me 16 vjet burg. Ndërsa ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme Sokol Koçiu dhe Arben Përballa, u dënuan secili me nga 15 vjet burg, si drejtues të organizatës. Dënime më të ulëta morën të akuzuarit si bashkëpunëtorë të saj, Alfred Nanaj me 6 vjet, Vehbi Hysi 5 vjet, si dhe Din Gjonaj me 9 vjet heqje lirie. 

Të pandehurit pretendojnë, se nuk është vërtetuar akuza ndaj tyre. Ndërsa prokurorët kanë përdorur si prova për të bindur drejtësinë, disa qindra përgjime telefonike, të kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dy dëshmi që u përdorën kundër 6 të akuzuarve shqiptarë, qenë ato të italianes së penduar Lidia Cestari dhe kolumbianit Triana Mateus, të dy persona që kishin ardhur në Shqipëri dhe që kanë marrë kontakte sipas tyre, me pjesëtarët shqiptarë të organizatës./tvklan.al