Korridoret e shkollave dhe palestrat do të jenë ambientet ku nxënësit do t’i nënshtrohen provimeve të maturës. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Rapi sqaron se testimi nuk do të zhvillohet në klasa, për arsye të rritjes së masave të sigurisë dhe shmangien e kopjimit nga një maturant tek tjetri.
“Në Qendrën e Shërbimeve janë të gjitha mjediset tashmë të identifikuara, që mund të jenë palestra, qoftë edhe korridore. Ideja është që ditën e provimit të tërë duhet të jenë në kushte të barabarta dhe mundësia e komunikimit të jetë absolutisht e pamundur”.
Klasat do të përdoren si mjedise për të zhvilluar testimin vetëm në rastet kur hapësirat e përcaktuara do të jenë të pamjaftueshme.
“Por gjithmonë ka një distancë të përcaktuar në rregullore që është mbi 1 metër e gjysmë nga njëri nxënës tek tjetri”.
Maturantët do të startojnë me provimet në 4 Qershor, me gjuhën e huaj. Kjo është matura e fundit që zhvillon 5 provime, pasi vitin e ardhshëm do të hiqet nga skema një prej provimeve me zgjedhje.
Tv Klan