Një ditë pasi Edi Rama deklaroi në cilësinë e kryetarit të rizgjedhur të Partisë Socialiste, se kjo forcë politike nuk do të futet në parlament pa u plotësuar kushtet e saj, faktori ndërkombëtar u jep fund pretendimeve të kësaj force politike për rinumërimin e votave.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ritheksoi domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së PS-së në Kuvend dhe tha se pretendimeve të selisë rozë për manipulime u është dhënë përgjigje nga institucionet e certifikimit të zgjedhjeve.
Robert Bosch: “I shpreha zotit Meta mbështetjen e OSBE-së për të ndihmuar Shqipërinë të implementoj rekomandimet më të fundit të raportit të OSBE-ODIHR, rekomandime që do të ndihmojnë në integrimin e vendit tuaj në strukturat euro-atlantike. Ne jemi të gatshëm të mbështesim si qeverinë ashtu dhe opozitën, bashkëpunim që mund të arrihet vetëm në Kuvend. Pra përsëri ne kërkojmë një bashkëpunim të mëtejshëm, por ai mund vihet në jetë vetëm brenda institucionit të parlamentit. Ne mendojmë se përgjigja e kërkesave të opozitës është dhënë në mënyrë legale nga institucionet kompetente.”
Në një tjetër dalje publike, ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan rikonfirmoi qëndrimin e Brukselit se futja e opozitës në parlament është e vetmja rrugë për konsolidimin e institucioneve demokratike.
Helmut Lohan: “Për KE-në është e qartë se debati politik zhvillohet brenda në parlament dhe jo jashtë tij.”
Vendimi i Ramës për të bojkotuar parlamentin nuk gjeti që në krye të herës mirëkuptimin e ndërkombëtarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe mjaft institucione ndërkombëtare e përfaqësues të tyre e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kundër braktisjes së parlamentit./tvklan.al
Gazetare: Elia Zotka