Partia Socialiste depozitoi në Prokurorinë e Tiranës tre kallëzime penale, lidhur me ecurinë e procesit për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sipas sekretarit për çështjet ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj, padia e ngritur nga socialistet pranë organit të akuzës vjen pas manipulimeve dhe falsifikimit të të dhënave nga funksionarë të PD-së dhe informacionit të dhënë ditë më parë nga ministria e brendshme që për socialistët rezulton i falsifikuar dhe kontradiktor.

Fatmir Xhafaj: “Kemi depozituar sot në prokurorinë e rrethit të Tiranës 3 kallëzime penale. Një kallëzim penal që ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit, të aplikimit nga një shtetas. Kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike duke shitur kupona në këmbim të votës dhe e treta ka të bëjë me një fakt shumë të njohur tashmë për ju dhe për publikun me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga struktura të ministrisë së Brendshme. Në do ta mbrojmë votën me çfarëdolloj çmimi.”

Depozitimi i tre kallëzimeve penale në prokurori nga socialistet vjen pas disa letrave të dërguara dikasterit te Nishanit ku i kërkohej një informacion i detajuar në lidhje me listën e shtetasve me dhe pa pasaportë, si dhe ata të cilët kanë marrë kartën e identitetit. Shqetësimin e tyre për karta të falsifikuara socialistët ia bënë prezent ditë më parë edhe Komisionit qendror të zgjedhjeve përmes një letre, ku i kërkohej këtij institucioni që të kontrollojë vërtetësinë e mjeteve të identifikimit që do të përdoren gjatë votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro