Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari socialist Nano ftoi dhe një herë liderin e opozitës Sali Berisha të bashkëpunojnë për hir të integrimit europian. Në mbledhjen e parë të kryesisë socialiste pas kthimit në atdhe nga pushimet e Vitit të Ri, Nano iu drejtua opozitarëve se zbatimi i marrëveshjes është në interes të tyre.
Fatos Nano:- “Kundërshtarët tanë politikë, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, se me votën e popullit nuk mund të luajë më, jo vetëm asnjeri, por dhe asnjë marrëveshje e çfarëdo niveli qoftë dhe asgjë nuk mund të zëvendësojë institucionin e konkurrencës dhe të zgjedhjeve të lira demokratike. Ndryshe nga mundësia e kundërshtarit tonë politik, e cila për fat të keq duket se pak ka reflektuar ende për ndryshimet që kanë ndodhur kohët e fundit, ne kemi për parim bazë të qeverisjes dhe të aktivitetit tonë politik, pjesëmarrjen dhe jo përjashtimin. Jemi të vendosur, që marrëveshjen për progresin e institucioneve të reformave ekonomike dhe shoqërore, që e përafrojnë dhe integrojnë Shqipërinë me BE ta çojmë përpara dhe ta bëjmë edhe më të mirë për të ardhmen e vendit. Na ana tjetër, opozita duhet ta kuptojë, se një marrëveshje funksionale në radhë të parë dhe kryesisht, i intereson asaj dhe votuesve të saj, të inkorporohet në zhvillimet moderne të vendit”.
Duke përmendur disa herë në fjalimin e tij rininë, që ende synon të largohet nga atdheu, Nano tha, se është detyrimi i politikës që të sigurojë kushte më të mira jetese në vend. Krahas rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, Nano premtoi hartimin e ligjit të ri për pronat.
Fitorja e zgjedhjeve lokale ishte termi më i përdorur në kalendarin politik për vitin 2003 të reklamuar nga Nano. Ndërsa për kongresin e socialistëve ku do të zgjidhet kryetari i ri, nuk pati asnjë paragraf të veçantë. Sipas sekretarit Agasi, kongresi do të mbahet në Nëntor, ndërsa më parë do të zhvillohet konferencë për zgjedhjet lokale.
Pas mbledhjes i pyetur nga TV Klan, rreth prishjes së marrëveshjes me Berishën, zoti Nano na deklaroi, se kjo ishte një lojë e madhe e vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët./tvklan.al
Gazetari – Vladimir Lame