Partia Socialiste do të mbledhë të hënën në mëngjes Kryesinë e partisë për të miratuar emrin e kandidatit që do të garojë për Bashkinë e Himarës.
Mbledhja e Kryesisë së PS do të zhvillohet në orën 08:30. Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka ka mësuar nga burime brenda selisë rozë se emri që do të miratohet për kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës do të jetë Vangjel Tavo, aktualisht Prefekt i Qarkut Vlorë.
Zgjedhjet për Bashkinë e Himarës do të zhvillohen më datë 4 Gusht. Data u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj të premten menjëherë pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim për shitje/blerje votash.
Beleri, i cili fitoi zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Himarës vitin e kaluar, nuk e mori asnjëherë detyrën pasi u arrestua 3 ditë para zgjedhjeve. Që prej asaj kohe ka qenë në qeli. Disa javë më parë, Apeli i GJKKO e shpalli fajtor për blerje të votave.
/tvklan.al