Edi Rama: “Dje pushteti mbylli rrugën e transparencës ligjore, mbi procesin zgjedhor në Berat. Por hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jon të legjitimitetit të qeverisë që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale.”
Deklarata e ditës së enjte e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama se nuk do të njohë zgjedhjet nuk artikulohet për herë të parë.
Këto qëndrime gjithsesi ende jo të formës zyrtare, kanë pasuar vendimmarrjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo dhe Kolegjit Zgjedhor.
Për këtë të fundit, të enjten Rama tha se nuk dha drejtësi për Beratin. Por aleatet e PS i komentojnë qëndrimet emocionale pasojë e rezultatit të kësaj force politike në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, thotë se një qëndrim i tillë është i paarsyeshëm dhe mentalitet i politikës së vjetër.
Paskal Milo: “Bojkoti i parlamentit nuk është rruga e zgjidhjes dhe nuk duhen përsëritur precedentët e të shkuarës të cilët i kanë dhënë Shqipërisë momente krizash politike dhe në fund të fundit nuk është arritur ndonjë gjë përmes bojkotit të parlamentit. Mund të bëj një gjest politik, ditën e parë, por nuk besoj se Partia Socialiste do të mungojë në seancat e ardhshme të parlamentit. Sepse mendoj që pavarësisht nga defektet e mëdha që u vunë re dhe ku Partia Socialiste ka një pjesë të mirë të përgjegjësisë nuk është kjo rruga e zgjidhjes së kontestimeve dhe nuk është kjo rruga që duhet të ndjekë tashmë politika shqiptare në një vend që po integrohet në bashkimin evropian dhe që aktualisht është vend anëtar i NATO-s.”
Sabri Godo gjithashtu e sheh të paarsyeshëm qëndrimin e Partisë Socialiste. Ai thotë se qëndrime të tilla nuk i shërbejnë vendit dhe proceseve të rëndësishme ku është përfshirë.
Sabri Godo: “Unë e shikojnë si një politikë të dëmshme për vetë Partinë Socialiste, natyrisht që i bën dëm edhe vendit në imazhin e jashtëm. Është e qartë ajo kritikë që bëhet se kërkon të justifikojë humbjet dhe kjo kuptohet deri në një farë vendi po thashë që është tejkaluar çdo kufi. Unë shoh përreth Ramës zëra të tjerë që kanë qëndrim më të arsyeshëm dhe ai duhet të dëgjojë edhe thirrjen e shokëve të tij më të ngushtë. Është si një aktor që vazhdon të qëndrojë në skenë edhe kur s’ka më gjë për të thënë. Është koha që ai të tërhiqet, të pranojë humbjen dhe të ndjekë pastaj procesin si parti e madhe e opozitës, të bëjë luftën e tij në parlament.”
Në qëndrim deklarativ për mosnjohje të zgjedhjeve Partia Socialiste figuron të jetë e vetme. Kjo pasi të paktën deri tani asnjë prej aleateve te saj nuk e ka mbështetur publikisht.
Madje ky qëndrim i selisë rozë ka nxitur dhe zëra kundërshtare brenda saj te cilët në vijimësi i kërkojnë kreut Rama të pranojë humbjen, e të marrë përgjegjësitë mbi rezultatin./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi