Partia Socialiste deklaron se do te përshkallëzoje shprehjen e refuzimit ndaj procesit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimet e reja elektronike në rast se qeveria nuk reflekton ndaj asaj që opozita e cilëson taksë e votës.
Nëpërmjet sekretarit për çështjet zgjedhore në selinë rozë, Kastriot Islami, PS paralajmëroi se pa pajisjen e votuesve me letërnjoftime nuk mund të ketë zgjedhje si dhe ftoi të gjithë qytetarët që të përgatiten për protesta paqësore, për të shpëtuar atë që ajo e konsideron si demokraci në rrezik.
Kastriot Islami: “Nëse situata nuk ndryshon PS do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria. Nëse Sali Berisha mendon se mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve duke kthyer në një farsë provimin e 28 qershorit, PS deklaron se nuk do të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. PS me këtë rast u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore.”
Selia rozë ka akuzuar qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë serioze lidhur me pajisjen në kohë të qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Sipas zotit Islami, ritmet e aplikimeve kanë rënë ndjeshëm dhe mbeten larg mundësive teknike si dhe premtimeve për rreth 100 mijë aplikime në javë. Gjithashtu, ai tha se edhe komisioni kuvendor Ad Hoc për procesin e pajisjeve me dokumentet e rinj të identifikimit është paralizuar./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro