Socialistët kanë braktisur seancën plenare të paradites duke e kërcënuar mazhorancën se nuk do të kthehen në parlament pa u hequr më parë çmimi i kartave të ID, që ata e cilësojnë taksa e votës. Në këtë mënyrë pajisja e qytetarëve me letërnjoftimet e reja ka thelluar më tej përplasjen mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës.
Më herët në emër të grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj tha se qeveria po kërkon të qëndrojë në pushtet duke mbajtur shqiptarët larg kutive të votimit.
Valentina Leksaj: “Taksa e votës që juve keni vendosur po lë jashtë votimit qindra mijëra shqiptarë dhe ndërkohë po provokon opozitën përtej kufirit të durimit. Ndaj ne sot po i biem edhe njëherë kambanës së alarmit duke deklaruar që zgjedhjet janë në rrezik dhe duke dalë nga parlamenti për këtë çështje.”
Në kundërpërgjigje ministri i brendshëm Bujar Nishani i ka cilësuar pretendimet e opozitës spekulim të pastër politik.
Bujar Nishani: “Të gjitha pretendimet për një rrezik të sajuar nga ana e opozitës në lidhje me pajisjet e qytetarëve shqiptar me letërnjoftimet elektronike është tërësisht një spekulim politik. Deri para 2 ditësh mund t’iu informoj se kanë aplikuar në rang vendi më shumë se gjysëm milioni qytetarë shqiptar për letërnjoftimet elektronike. Deri para 3 ditësh nga ky kontingjent prej 80 mijë qytetarësh pra në bashkinë e Tiranës që është bashkia dhe njësia vendore me numrin më të madh të qytetarëve pa pasaporta aktuale, kanë aplikuar mbi 60 mijë qytetarë.”
Ferdinand Xhaferri: “Opozita nuk e ka hallin te kartat, sot bojkotuan parlamentin dhe Edi Rama po e ngre këtë zhurmë sepse do ti shpëtojë KRT-së së famshme të 12 prillit. Do ti shpëtojë komisionit hetimor, por nuk ka për ti shpëtuar dot.”
Presidenti i PAD-së njëkohësisht dhe kryetar i Kuvendit Neritan Ceka tha se largimi i opozitës nga salla është alibi për pranimin e humbjes së zgjedhjeve të qershorit.
Neritan Ceka: “Argumenti është një alibi, është thënë tani që është vetëm një dëshmi e faktit ta pranimit të humbjes në 28 qershor. Le ti paguaj PS-ja, është sot partia më e pasur në Shqipëri. Vetëm me një leje ndërtimi zoti Rama do i paguante të gjithë kartat e ID të Tiranës. I ka dhënë 40 leje ndërtimi vetëm Delijorgjit.”
Kjo lëvizje e re e socialistëve vjen menjëherë pas zbardhjes së skemës së re të rimbursimit për letërnjoftimet elektronike nga kryeministri Berisha, skemë kjo që merr në mbrojtje rreth 500 mijë zgjedhës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro