Partia Socialiste vendosi të hyjë nesër në parlament për të votuar rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike mbi liberalizimin e vizave.

Vendimi është marrë nga grupi parlamentar socialist, një nga vendimet e para pro hyrjes në parlament, që merret pa shumë mëdyshje dhe në mungesë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që ndodhet në Strasburg, në një lobing për hapjen e kutisë së Ruzhdijes, njëkohësisht dhe liberalizimit të vizave.

Diskutimet brenda selisë rozë këtë herë më shumë janë përqendruar në faktin se kush do të mbajë fjalimin nesër në parlament.

Një pjesë e socialistëve ishin të mendimit që fjalimi në emër të opozitës duhej ta mbante një figurë e konsoliduar në marrëdhëniet me jashtë, si Arta Dade, ndërkohë që të ashtuquajturit grupi i të rinjve, ngulmuan fort që fjalimin ta mbante Ditmir Bushati.

Teksa diskutimet ndërmjet këtyre grupimeve vazhduan gjatë, pati edhe një palë të tretë që tha se hyrja në parlament nuk ka kuptim pa fjalime të mbajtura nga Gramoz Ruçi, mendim i cili në fund u pranua nga të gjitha palët.

Duket se hyrja e Partisë Socialiste nesër në parlament, përveç interesave kombëtare, u nxit edhe nga qëndrimi i Mendimit Ndryshe, pasi pesë deputetët që i përkasin kësaj lëvizjeje thanë përpara disa ditësh për Televizionin Klan se nesër do të jenë në parlament, pavarësisht vendimit të forumeve të partisë.

Edi Rama: “Është shumë e rëndësishme që Evropa ta mbështesë procesin e transparencës, Evropa ta mbështesë betejën me korrupsionin elektoral, Evropa ta mbështesë problemin madhor të ndarjes nga një e shkuar dramatike zgjedhjesh, të deformuara, të kontestuara, ashtu sikundër shumë e rëndësishme që Evropa e gjitha ta mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë më për një politikë të vjetër dhe të verbër, që i mban ende mbyllur. Unë pata nderin t’i drejtohem grupit socialist evropian duke i kërkuar mbështetje për këto çështje themelore”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka