Teksa dha sqarim shterrues për ligjin e ri të bashkëpronësisë dhe përcaktimin e roleve në këtë aspekt, ministri Arbjan Mazniku foli në një intervistë për Klan News edhe për zgjedhjet e ardhshme.
I pyetur se pse Partia Socialiste propozoi 11 Majin për mbajtjen e zgjedhjeve 2025, ai u përgjigj kështu: Kemi një ushtrim që ka të bëjë së pari me votën e emigrantëve dhe mendoj se kjo datë na jep kohë. Duke marrë parasysh se në javët pararendëse janë dy festa të rëndësishme, do të ishte e udhës t’i kishim zgjedhjet më 11 Maj. Por ky është vendim që duhet ta marrë Presidenti.
E quajti argument të pakuptimtë atë të opozitës se Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë ka ndikim elektoral.
“Ne gjatë vitit të fundit kemi pasur një seri mbledhjesh të rëndësishme në Tiranë, hapja e Kolegjit të Evropës. Një aktivitet tjetër i drejtuesve të Europës në Shqipëri nuk është më gjë e re, nuk ka pse të ketë impakt elektoral.”
Së fundmi, Mazniku argumentoi edhe trefishimin e bonusit të fundvitit për pensionistët dhe një të tjetër plus çdo pranverë që vjen.
“Janë vendime në dobi të qytetarëve të vendit. Kemi mundësinë t’i pasgjykojmë. Dy vitet e fundit nga zhvillimi ekonomik ne patëm mundësinë të flisnim edhe për rritjen e pagave. Me të drejtë pensionistët thonin si përfitojmë edhe ne nga ky bum ekonomik. Skema e bonuseve që u propozua nga kryeministri dhe fokusi te personat që kanë pensionet më të ulëta, është politikë në linjë me zhvillimin ekonomik. Rritja e pagave ka rritur dhe volumin e të ardhurave që shkojnë për pensionistët.”
/tvklan.al