Ditën e djeshme këngëtari dhe kantautori i njohur Kujtim Prodani ka humbur jetën nga Covid-19. Para një jave ai ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga spitali me një maskë oksigjeni në fytyrë dhe njoftoi se ishte infektuar nga Covidi.
“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! (Klinika Shefqet Ndroqi)”, shkruante kantautori i ndjerë në postimin e tij.
Humbja e tij ka trishtuar shumë miq, familjarë dhe fansa të tij ku përmes postimeve në rrjetet sociale ata kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe mërzinë që ndjejnë për këtë humbje kaq të madhe.
I afërmi i tij dhe këngëtari i njohur Voltan Prodani ka publikuar në rrjetet sociale foton e fundit të Kujtim Prodanit që është shkrepur në spitalin Shefqet Ndroqi dhe shprehet se nuk do e harrojë kurrë këtë foto.
“Foto e fundit nga i shtrenjti ynë. Këtë foto nuk do ta harrojë kurrë gjithë jetën. Fluturo o shpirt i lirë”, shkruan ai. /tvklan.al