Atmosfera festive e fundvitit nuk mund të quhet e plotë pa praninë e gjelave dhe pulave të detit, që mbeten pjesë e pandashme e tryezave familjare.

Gazetarja e Klan News, Ermelinda Hoxhaj, teksa ka raportuar nga tregu i Baldushkut, i cili bën gati gjashtë vite i hapur nga Bashkia e Tiranës, ka thënë se fermerët duken të kënaqur me shitjet e tyre. Por në anën tjetër ka dhe nga ata që thonë se produkti i importit vjen me një kosto më të ulët duke shkaktuar dhe rënie të shitjeve.

“Tregu i Baldushkut është i famshëm, sepse e gjithë zona e Baldushkut, të gjithë banorët e kësaj zone e mbajnë dhe e rrisin gjelin dhe pulën e detit. Tregu në vetvete është këtë vit për herë të gjashtë që është hapur nga Bashkia e Tiranës dhe fermerët janë deri diku të kënaqur me shitjet që kanë patur, por ka dhe nga ata që thonë që importi, pra produktet e importit, gjeli i detit nga importi duke qenë se vjen me një kosto më të ulët ka sjellë pak rënie të shitjes së numrit të gjelave dhe pulave”, tha gazetarja Hoxhaj.

Vihet re gjithashtu se shitja e pulave të detit ka një performancë më të mirë, krahasuar me gjelin e detit.

“Faktikisht më shumë ecën pula e detit, për shkak se sipas fermerëve është mishi më i butë dhe në shitje ecën gjithmonë. Është më i pëlqyer, madje e ka dhe një çmim më të lartë. Pra një pulë deti kushton 12 mijë Lekë të vjetra kilogrami, ndërsa gjeli i detit diku tek 10 mijë Lekë edhe pse ne gjithmonë i referohemi gjelit të detit në fjalorin tonë”, tha gazetarja.

Hapësira në tregun e shitjes nuk është shumë e madhe, duke bërë që fermerët, anës shtëpisë së tyre të ngrenë kotece të vogla ku të reklamojnë pulat dhe gjelat e detit.

“Pra jo vetëm ky treg, por pothuajse çdo shtëpi tashmë e ka një minitreg të vogël para hyrjes së tyre që bëjnë tregtimin e pulës dhe gjelit të detit që është një traditë disavjeçare në fundvit që është pjesë e tryezave tona për fundvitin, por edhe për Krishtlindje. Plus që ka dhe vlera të mëdha ushqimore”, tha gazetarja.

Arbri është fermeri më i ri në tregun e gjelave dhe pulave të detit, i cili së bashku me familjen kanë disa vite që merren me tregtinë e tyre, sidomos në Vitin e Ri.

“Neve rrisim gati 5-6 krerë çelin vetë. Pulat janë shitur. Me shitjet janë të kënaqur sepse janë shitur shumë mirë këtë vit, vetëm tregtia, domethënë klientela, s’kanë qenë shumë më mirë. Gjelat e huaj, për shembull ato të grekut kanë ecur më shumë. Kemi 3-4 vite me këtë punë. Jam i kënaqur me këtë punë”, tha Arbri.

Thuhet se koha për të rritur një gjel deti kërkon një punë madhore, duke investuar thuajse 6 deri në 7 muaj që në momentin e çeljes së vezëve. Për fermerët, shitja e çdo gjeli deti shpërblen të gjithë mundimin dhe kohën për rritjen e tyre. Për këto arsye, ata zgjedhin që shitjet të jenë brenda normave të kujdesit që kanë treguar ndaj gjelit dhe pulës së detit.

“Kërkon një kohë të gjatë t’i rrisësh pulat e detit. Periudha, që nga çelja e vezëve, është pothuajse 6-7 mujore. Pra është një punë e gjatë, e mundueshme për ta dhe sipas tyre nuk kanë leverdi që ta tregtojnë nën 10 mijë Lekë kilogramin. Përgjithësisht fillojnë që në Prill-Maj çelja e vezëve për pulat dhe gjelat e detit dhe është një punë disamujore dhe që ato të arrijnë të marrin mbrapa mundin dhe kohën që i kanë përkushtuar këtij produkti kaq tradicional në tryezat tona. Sipas tyre duhet që të jetë me patjetër 10 mijë Lekë të vjetra e lart kilogrami, por produktet e importit faktikisht po vijnë me çmime të cilat variojnë nga 6 deri në 8 mijë Lekë kilogrami dhe kjo ndoshta u ka sjellë atyre këtë konkurrencën që ata e quajnë disi të pandershme.”

Më tej, është bërë dhe një apel për të gjithë ata qytetarë që nuk e kanë blerë akoma gjelin apo pulën e detit, se kanë mundësi që të shkojnë drejt fshatit të Baldushkut për ta blerë. Fermerët garantojnë se janë produkte bio, të kultivuar nga vetë ata, në përputhje me pritshmëritë e familjeve që të shijojnë në tryezën e tyre gatimin tradicional. Kështu ndihmohen të gjitha familjet që mbahen me këtë produkt, duke ndihmuar gati të gjithë zonën.

Sipas të dhënave, nga njësia administrative e Baldushkut, aty rriten nga 30 mijë deri në 40 mijë krerë në vit, duke shkuar në vlerën totale të 3 milionë Euro e gjithë vlera që nxirret nga shitja e tyre. Për shkak të fushave të mëdha që ndodhen në Baldushk, gjenden hapësira të lira në të cilat krerët ushqehen me bar në natyrë dhe fermerë që i ushqejnë me misër./tvklan.al