E gjithë zona e Ishull Lezhës është futur në karantinë për 21 ditë pas përhapjes së sëmundjes së murtajës afrikane të derrave të butë.

Menjëherë pas identifikimit të rastit në një nga fermat e kësaj zone me rreth 130 krerë derra, shërbimi veterinar po bën asgjësimin e derrave të ngordhur deri më tani, ku pritet që gjatë pasdites të bëhet edhe groposja e tyre.

Gjithashtu, jashtë kamerës, sipas gazetarit Martin Marku në Lezhë, përfaqësues të shërbimit veterinar u bëjnë thirrje konsumatorëve që të tregohen të kujdesshëm që të mos blejnë mish derri në ato tezga që nuk kanë certifikatën e veterinerit.

Shqetësim për ta mbetet edhe tregu i gjësë së gjallë në Milot, duke kërkuar nga pushteti lokal marrjen e masave të menjëhershme të këtij tregu pasi mbetet një vatër e nxehtë dhe e rrezikshme.

Murtaja afrikane e derrave u shfaq për herë të parë në vendin tonë më 29 Nëntor, pikërisht në zonën e Lezhës.

Sipas ISHP, murtaja afrikane e derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun.

/tvklan.al