Lajme Arkiva 2003

Punëtorë të fabrikës së tullave në Vorë por edhe familjarë të grevistëve të urisë kanë bllokuar njërin prej segmenteve të autostradës që kalon në Vorë duke kërkuar këtë herë një mbështetje për plotësimin e kërkesave të tyre minimale.

Ndërhyrja e forcave të policisë këtu në Vorë kanë bërë që grevistët të shpërndahen për më pak se dy minuta pas bllokimit të rrugës. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit të komisariatit të policisë së Vorës dhe Tiranës ka bërë që punëtorët të largohen nga bllokimi i rrugës.

Sipas policisë kjo protestë është e paligjshme ndërkohë që pak metra më tej në qendër të qytezës së Vorës punëtorët kanë zhvilluar një miting në mbështetje të grevistëve të urisë.

Në ditën e 9 greva e urisë brenda barakës është rënduar sërish. Njëri prej 12 grevistëve është shoqëruar për në spital. Pas deklaratave të presidentit të shoqërisë së tullave Fabiona ku nuk u ra dakord për pagesat e punëtorëve grevistët shprehen të vendosur për vazhdimin e protestave.

Këtë herë ata kërkojnë ardhjen e kryeministrit dhe të presidentit të Republikës për të parë nga afër kushtet e tyre.

Grevist: I bëj thirrje kryeministrit dhe presidentit, më lart nuk kam ku shkoj më.

Gazetarja: Ju tani prisni vetëm nga kryeministri dhe presidenti?

Grevist: Po vetëm nga këta dy se jemi 8000 frymë. I lutem shumë të vijë të na shikoj, jo më shumë se nesër.

Grevist: Ai ka thënë se unë nuk kam para për ti dhënë sot për sot, pas 5 ditëve ju jap. Ai as pas 50 ditëve nuk na i jep. Tani shpresojmë të ndërhyjë qeveria.

Grevist: Greva jonë do të shkoj deri në vdekje. Në mbështetje të prindërve janë edhe fëmijët të cilat kanë braktisur shkollat.

Fëmijë: Ne do të bllokojmë rrugën ndërkombëtare ku kalojnë makinat. Që të na japin lekët. Edhe po nuk e bllokuan prindërit tanë do ta bllokojmë ne fëmijët.

Fëmijë: Kam babin këtu në fabrikë, ka tre muaj që si kanë dhënë lekët.

Ndërsa presidenti i bashkimit të sindikatave të pavarura të Shqipërisë Gëzim Kalaja pas takimit me grevistët u shpreh:

Gëzim Kalaja: Bashkimi Sindikatave të Pavarura Shqiptare do të bëjë gjithçka është e mundur pranë instancave qeveritare të ekzekutivit shqiptar, presidentit të Parlamentit për të zgjidhur problemat e grevës së urisë të Vorës duke i konsideruar të drejta njëkohësisht ftojmë me këtë rast i bëj apel presidentit të Republikës, kryeministrit,  kryetarit të parlamentit shqiptar se do të ishte në nderin e tyre që të vinin në takim jo vetëm me grevistët e Vorës por me të gjithë punëtorët që janë në fabrikën e Vorës dhe me qytetarët e Vorës për të zgjidhur hallet dhe problemet e Vorës.

Shpresa e vetme e grevistëve mbetet ndërhyrja e shtetit në plotësim të kërkesave minimale të tyre./tvklan.al