Lajme Arkiva 2003

Ndërprerja elektrike është shkaku kryesor i mos pagesës së punëtorëve. Presidenti i i shoqërisë së tullave “Fabiona” në Vorë Tofik Hyka është shprehur se protesta e punëtorëve është e paligjshme, ndaj nuk mban asnjë përgjegjësi për sa ndodh jashtë mureve të fabrikës.

Tofik Hyka: Jashtë fabrike unë nuk mbaj përgjegjësi sepse ata kanë dalë në mënyrë të paligjshme. Unë gjithmonë u kam thënë punëtorëve të mi që kur të keni probleme do të mblidheni te qendra e punës. Këtu e kam zyrën unë. Edhe unë analizoj problemet që keni. Prandaj jashtë postbllokut të fabrikës, portës nuk mund të dilet në mënyrë të paligjshme, ka kod pune, ka procedura ligjore për grevat. Thashë në qoftë se kanë ankesa të mëtejshme, punëtorët mund ti drejtohen gjykatës. Unë nuk mbaj asnjëlloj përgjegjësie për punëtorët që kanë dalë në mënyrë të paligjshme. Mbaj përgjegjësi për detyrimet që i kemi. Detyrimet kanë një kohë, një afat, një kontratë pune.

Pagat e papaguara ato përfshijnë vetëm 92 punëtorë që janë aktualisht në grevë pasi pjesa tjetër e punëtorëve sipas fabrikës janë paguar. Lidhur me sigurimet shoqërore presidenti i shoqërisë “Fabiona” u shpreh se ato nuk janë paguar vetëm për dy vitet e fundit, por që do të paguhen ku fabrika të furnizohet me energji elektrike.

Këto fakte janë kundërshtuar nga punëtorët të cilët ndodhen në ditën e 8 të grevës së urisë. Ata thonë se për 2 muaj nuk janë paguar ndërkohë që sigurimet shoqërore nuk janë paguar që prej 7 vjetësh.

Punëtor:  Unë nuk dal që këtu edhe për 100 vjet ta marri vesh edhe Presidenti i Republikës edhe e gjithë qeveria.

Punëtor:  Paga mujore shkon 120-130. Asnjëherë nuk kam marrë aq unë. E nxjerr planin 65% ai.

Punëtor:  Është një rrogë aq qesharake sa as 200 mijë Lekë nuk marrë. Punoj në ngarkim-shkarkim tullash. Punën më të vështirë. As 200 mijë lekë nuk marrë. Por më shumë më ndikon libreza e punës. Dua librezën për 7 vjet se do të dal i vdekur e nga këtu nuk dal.

Gazetarja: Sa vjeç jeni?

Punëtor:  Jam 54 vjeç. Jam në prag të pensionit. Po s’mu dhanë 7 vjet unë nuk dal në pension fare.

Por edhe gjendja shëndetësore po rëndohet dita-ditës. Brenda një ore për të marrë serum në poliklinikën e Vorës janë shoqëruar 5 grevistë.

Mjeku: Sa do të zgjasë greva aq më shumë do të rëndohet gjendja shëndetësore e tyre. Prandaj kush e ka në dorë qoftë qeveritarët, qoftë pronarët,të zgjidhin problemin dhe të mos sakrifikohen njerëz.

Ndërsa pjesa tjetër e punëtorëve që ndodhen jashtë grevës si edhe familjarët kanë deklaruar se do të bllokojnë rrugët nacionale në rast të mosplotësimit të kërkesave .

Ndërmjetësia e shtetit nuk i dha zgjidhje problemit të punonjësve të fabrikës së tullave në Vorë. Zëvendës Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Ahmet Ceni u takua me 9 përfaqësues nga grevistët dhe presidentin e fabrikës. Që në fillim të mbledhjes që u zhvillua në mjediset e bashkisë së Vorës dhe që zgjas disa orë zëvendës ministri Ceni u bëri të ditur palëve se kishte ardhur për ti takuar.

Ahmet Ceni: Atë e dinë palët. Ne si shtet do të përpiqemi me të gjitha mundësitë që edhe punëtori edhe punëdhënësi të jetë në pozita të barabarta dhe në pozita të drejta.

Tre kërkesat, pagesa e rrogës së prapambetur të dy muajve, pagimi i sigurimeve shoqërore dhe pagesa për lejen e zakonshme u parashtruan edhe njëherë nga përfaqësuesit e grevës, ndërkohë që 12 prej tyre janë ende në grevë urie, por presidenti i shoqërisë “Fabiona” tha se mund të shlyente një pjesë të vogël të detyrimeve dhe kërkoi disa ditë kohë për përmbushjen e këtyre kërkesave.

Pasi nuk arritën të bien në ujdi për zgjidhjen e këtij problemi ish zëvendës Ministri i Punës u takua edhe njëherë me grevistët e urisë por ata reaguan të zemëruar ndaj propozimit të tij. Përfundimisht ata do të vazhdojnë grevën dhe kanë kërkuar që nesër ta takohen me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Punëtor: Meqenëse zëvendës ministri nuk ka zgjidhur asnjë problem nga  kërkesat tona, 12 grevistët që jemi futur këtu brenda kërkojmë Gëzim Kalanë të na vijë këtu. Mundësisht jepeni në televizor që të na dëgjoj.

Gazetarja: Çfarë kërkoni pikërisht nga ai?

Punëtor: Po do i bëjmë disa kërkesa atij se ne nuk po zgjidhim asnjë problem u bënë 8 ditë sot. Me drejtor me zëvendës ministër deri më sot asgjë nuk kanë zgjidhur.

Gazetarja: Deri në këto momente do të vazhdoni grevën tuaj?

Punëtor: Grevën do e vazhdojmë deri sa të vdesim./tvklan.al