Lajme Arkiva 2003

Për 30 minuta punëtorët e kantierit detar të Durrësit kanë bllokuar hyrjen e qytetit, ata kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Ky është muaji i katër që punëtorët e kantierit detar janë në grevë për të kërkuar pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Kantieri detar i Durrësit ka 7 vite që nuk u paguan 250 punëtorëve të saj kontributet për llogari të sigurimeve shoqërore. Borxhi që kantieri detar ka së bashku më kamat vonesat qëndron afër 250.000.000 Lekë të reja.

Në fillim të këtij viti kompania turke Kurum deklaroi se kishte blerë 51% të aksioneve të kantierit detar, kuota prej 52% të aksioneve që prej vitit 1994 kontrollohej nga kompania polake e kantierit detar të Gdansk-ut.

Gjatë kësaj kohe polakët kontrollonin kantierin detar të Durrësit ku keq menaxhimi i tyre krijoi edhe këtë borxh. Prej katër muajsh kryetari i Sindikatës së Pavarur Gëzim Qato ka negociuar me Ministrinë e Ekonomisë e atë të Punës dhe Çështjeve sociale. Me drejtuesit e rinj të ndërmarrjes gjithashtu. Marrëveshja e shumë pritur mes palëve për zgjidhjen e problemit nuk është realizuar.

Punëtorët e kantierit detar deklarojnë se deri në arritjen e marrëveshjes finale ata do të vazhdojnë me bllokimin e rrugës hyrëse të qytetit./tvklan.al