Një provë e re me raketë Zirkon përfundoi me sukses në Rusi. Raketa hipersonike u lëshua dje në Detin Barents dhe erdhi si dhuratë nga një komandat i lartë i ushtrisë ruse, për Presidentin Vladimir Putin në ditëlindjen e tij të 68.
Raketa hipersonike “3M22 Zircon” është e zhvilluar nga Rusia dhe dje arriti të godasë objektivin 450 kilometra larg.
Presidenti Putin pasi mori informacionin për lëshimin e raketës me sukses, doli më një deklaratë dhe tha se “testimi i suksesshëm i raketës “Zircon” është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Forcat e Armatosura Ruse, por edhe për të gjithë Rusinë. Kjo armë e re, e cila është unike në botë, do t’i sigurojë vendit tonë mbrojtje në planin afatgjatë.”
Ai e vazhdoi fjalimin me krenari, duke treguar për armatosjen e ushtrisë ruse dhe duke vlerësuar lart sistemet e reja të armëve, të cilat nuk i ka askush në botë.
Kujtojmë se vitin e kaluar pas testeve të para të raketës, Putin ishte shprehur me fjalët se “Tani ne jemi përpara SHBA-së”.
Presidenti rus, fjalën e përfundoi duke falënderuar për zhvillimin e raketës, inxhinierët dhe Ministrinë e Mbrojtjes se Rusisë./tvklan.al