Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka konfirmuar për herë të parë se Ukraina ka përdorur raketat e Perëndimit me rreze të gjatë veprimi.
Në një deklaratë publike të enjten, Putin tha se sulmi ukrainas me rreze të gjatë veprimi ka patur objektiva ushtarake brenda territorit rus.
Sipas kreut të Kremlinit, bëhet fjalë për raketa të prodhimit britanik dhe amerikan.
“Përdorimi në konfliktin e Ukrainës i sistemeve të tilla të prodhuara nga Perëndimi ka ndryshuar në mënyrë drastike natyrën. Një konflikt rajonal në Ukrainë i nxitur nga Perëndimi ka marrë elementë të një konflikti global. Këto sisteme raketore me precizion të lartë dhe me rreze të gjatë veprimi nuk mund të përdoren pa asistencën e drejtpërdrejtë të specialistëve ushtarakë perëndimorë”, u shpreh Presidenti Putin.
Sipas kreut të shtetit rus, sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina nuk kanë bërë asnjë dëm në Rusi, pasi sipas Putinit, sistemet mbrojtëse ajrore ruse kanë shkatërruar çdo raketë.
Javën e kaluar, Ukraina mori nga SHBA aprovimin për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi.
/tvklan.al