Një shqiptar u plagos me armë zjarri mbrëmjen e të martës në Itali. I plagosuri quhet Rodeo Sinjari, 23 vjeç nga Durrësi. Mediat italiane bëjnë të ditur se ai u qëlluan me pistoletë, teksa ndodhej në një parking nëntokësor në qytezën Loano, në rajonin verior të Ligurias.
Njëri nga plumbat i shkaktoi plagë në këmbë. Pasi u plagos, ai iu drejtua një dyqani cigaresh elektronike, ku i telefonoi shërbimeve të ndihmës mjeksore. 23-vjeçari u dërgua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi nga plaga kishte humbur shumë gjak.
Motivet e ngjarjes ngjarjes janë ende të paqarta. Pas hetimeve të kryera gjatë natës, policia arrestoi në orët e para të mëngjesit 3 persona, të dyshuar për lidhje me këtë ngjarje. Hetimet janë përqëndruar në parkingun nëntokësor, ku policia zbuloi disa valixhe dhe një furgon të bardhë që i përkiste shqiptarit.
Në shqyrtim janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë. I riu shqiptar ishte i njohur për policinë italiane, pasi 2 vite më parë ishte përfshirë në një sherr me bashkëmoshatarë të tij.